Prishtinë, 28 korrik - Ish drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi thotë se nuk ka pasur plan në polici për aksionin në veri, e as informacion se do të dërgohen policët, ndërkohë që thekson se akoma nuk i din arsyet e shkarkimit nga ana e kryeministrit Thaci. Në një intervistë për "Jeta në Kosovë", Maliqi tha se kishte planifikuar bashkë me ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi të udhëtonin për pushime këtë javë. Maliqi tha se ditën e aksionit e kishte telefonuar udhëheqësi i Njësisë Speciale dhe i kishte thënë se sapo mori një urdhër nga ministri Rexhepi për përgatitjen e njësisë speciale dhe dërgimin e tyre për në Mitrovicë fillimisht. Por ministri Rexhepi, sipas tij, nuk e kishte thirrur Maliqin për këtë gjë, ndonëse ai ishte drejtori i Policisë. Ai tha se lajmin për shkarkimin e tij e kishte marrë nga televizioni. Maliqi tha se nuk është e vërtetë se ka hezituar për aksionin, dhe as që ai ka dhënë informacione në EULEX. "Mundet që kryeministrin e ka informuar dikush gabim, por kjo nuk qëndron. S'është fare e vërtetë që kam hezituar, unë as që kam pasur dijeni për aksionin. Prandaj nuk qëndron as që unë paskam dhënë inforrmacione në EULEX", u shpreh Maliqi. Ai thotë se ka biseduar me ministrin Rexhepi për ndërmarrjen e aksionit, ndërsa thotë se as ministri Rexhepi nuk ka qenë i informuar se do të ndërmerret aksioni për dërgimin e njësisë speciale në pikat kufitare. Sipas Maliqit, për shkarkimin e tij ka biseduar me ministrin Rexhepi, por, sipas tij, as ministri Bajram Rexhepi nuk i din arsyet e shkarkimit të tij. "Ministri më ka thënë se është vendim i kryeministrit dhe se ai nuk është i njoftuar për arsyet e këtij vendimi". Reshat Maliqi mendon se nuk ka pasur ndonjë plan të përgatitur nga policia dhe se e gjitha ka qenë një organizim shpejt e shpejt, dhe kjo, sipas tij, është bërë për shkak të ndieshmërisë së rastit dhe për t'u mbajtur sa më sekret, që, ai thotë se është e kuptueshme në raste të tilla. /Qendra.info/

 

Komento

Komentet nuk do të publikohen në rastet kur përmbajnë frymë raciste, jo tolerancë fetare, etnike apo çfarëdo jo tolerance tjetër. Komentet mund të mos publikohen edhe në rastet kur komenti nuk ka të bëjë me tematikën e shtjelluar në artikull. Qendra.info ka të drejtën e redaktimit të këtyre komenteve. Në mënyrë që komenti juaj të publikohet sa më shpejtë, ju lusim që komentet të jenë të shkruara sa më afër standardit gjuhësor.