Brezovicë, 05 Shkurt 2012 (19.00)
Përkundër angazhimit të pandërprerë, ende nuk është hapur qarkullimi rrugor nga Brezovica për në Qendrën e Skijimit, por me angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është arritur që të nxjerrën nxënësit, të cilët kishin mbetur të izoluar në atë pjesë tash e disa ditë.
Ekipi i Kosovapressit gjatë ditës së diel ka shkuar deri në Brezovicë, për të parë nga afër situatën atje. Deri më tani kompanitë për pastrimin e rrugëve së bashku me pjesëtarë të FSK-së kanë hapur pjesën më të madhe të rrugës së bllokuar, ndërsa në mëngjes pritet të hapet tërësisht rruga.
Krahas punës për hapjen e rrugës, pjesëtarë të FSK-së të ndihmuar edhe nga qytetarë, janë angazhuar që të bartin nxënësit nga Qendra e Skijimit deri tek vendi ku rruga është e kalueshme.
Tani nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina” dhe disa qytetarë, të cilët kishin mbetur të izoluar në tash e disa ditë në Qendrën e Skijimit, janë duke u bartur me automjetet e FSK-së për në Prishtinë.
Gjatë ditës në Brezovicë dhe në Qendrën e Skijimit ka qëndruar edhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, i cili theksoi se do të bëhet angazhim maksimal prej institucioneve që rruga të hapet deri në orët e mëngjesit.
Qysh nga dita e premte, më 3 shkurt, qarkullimi rrugor nga Brezovica për në Qendrën e Skijimit është bllokuar nga një ortek i madh bore. Atje kanë mbetur të izoluar shumë vizitorë, në mesin e tyre edhe një grup nxënësish nga Prishtina, të cilët kishin shkuar atje në ekskursion.
Si rrjedhojë e situatës së krijuar nga reshjet e mëdha të borës, Komuna e Shtërpcës mori vendim të premten që të ndaloj qarkullimin e njerëzve dhe makinave nga Brezovica për në Qendrën e Skijimit./Kosovapress/
Lexo të plotë në http://rtv21.tv/home/?p=57466