Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ka filluar seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, cili po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në seancat paraprake, Krasniqi e kishte cilësuar aktakuzën si të montuar dhe ka theksuar se qëndrimi i tij pesëmujor në paraburgim është i padrejtë.
Sipas aktakuzës, ai, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohet për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro.
Në seancën fillestare më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm. Ymer Dragusha, një tjetër i akuzuar, ka pranuar fajësinë pas marrëveshjes me Prokurorinë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.
Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.
Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.
Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.
Tutje, thuhet se ZRrE më 19 gusht 2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.
Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin të gjeturat e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK do të respektoj përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRrE që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRrE”, thuhet në aktakuzë.

