Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila është një trup krejtësisht teknike që funksionon brenda KQZ-së dhe që duhet të zbatojë vetëm vendimet që dalin nga organi kolegjial i anëtareve të KQZ-së, është vënë në shërbim të agjendës politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Një gjë të tillë e kishte bërë në fund të vitit të kaluar, duke i dërguar presidentes Vjosa Osmani një shkresë për t`i treguar se zgjedhjet e parakohshme nuk do të mund të mbaheshin më 21 dhjetor 2025.
Kjo shkresë e hartuar nga Sekretariati i KQZ-së ka mjaftuar që t`i shërbejë presidentes Osmani për caktimin e datës 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Gazeta Nacionale ka mësuar se kjo shkresë nuk është parë asnjëherë nga anëtarët e KQZ-së dhe as nuk është aprovuar në mbledhjen e KQZ-së.
Data 28 dhjetor për mbajtje e zgjedhjeve, siç do të dëshmohej më vonë, ishte një plan i Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë datë e kishte kërkuar edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, gjatë takimit të liderëve të partive politike me presidenten Osmani.
Ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që sot e ka zbuluar ekzistencën e kësaj shkrese të Sekretariatit të KQZ-së.
Në një adresim para gazetarëve, ai ka thënë se me anë të kësaj shkrese është vërtetuar se zgjedhjet e përkohshme nuk do të mund të mbaheshin më 21 dhjetor, datë të cilën e kishin kërkuar disa parti opozitare.
Në këtë mënyrë, Kurti ka zbuluar sekretin që duket se vetëm pak persona e dinin deri më tani, shkresën e Sekretariatit të KQZ-së.
Kurti e dha këtë informacion pasi që është pyetur nga gazetarët për akuzat e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila ka treguar se e zgjodhi këtë datë për shkak se ia kishte kërkuar Kurti.
“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së, ku thuhet se kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike”, ka thënë Kurti, duke insistuar se nuk ka pasur mundësi që zgjedhjet të organizohen në një datë tjetër.
“Mos harroni që ne kishim në tetor edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hynë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse më 28 dhjetor. Nëse ndokush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, është shprehur Kurti.
Gazeta Nacionale është rikthyer për të parë procesverbalet e mbledhjeve të KQZ-së të mbajtura gjatë kësaj periudhe.
Por, në asnjërën nga mbledhjet e mbajtura para 20 nëntorit, KQZ nuk ka diskutuar për zgjedhjet që pritej të shpalleshin.

Për më tepër, Nacionale ka biseduar me një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka konfirmuar se një shkresë e tillë as nuk është diskutuar dhe as nuk është aprovuar nga KQZ.
“KQZ-ja s’mund të bëhet palë në proces zgjedhor, prandaj ne nuk guxojmë të shfaqim preferencat për data të caktura sepse afatet për mbajtjen e zgjedhjeve janë të caktuara paraprakisht dhe KQZ-së nuk i takon të përfshihet në debatin mes partive politike”, ka thënë ky anëtar i KQZ-së, i cili ka kërkuar që të mos i publikohet emri.
Pasi që më 26 tetor 2025, Kurti dështoi të formonte Qeverinë, Vetëvendosje caktoi mandatarin tjetër, Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë.
Por, më 19 nëntor 2025, as Konjufca nuk arriti të formojë Qeverinë.
Më 20 nëntor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani caktoi datën 28 dhjetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

