Një studim i botuar në “European Journal of Preventive Cardiology”, tregon se ecja mbi 3,000 hapa në ditë dhe në ritëm më të shpejtë mund të ulë rrezikun e ngjarjeve serioze kardiovaskulare deri në 17% te personat me hipertension.
Sipas burimit Medical News Today, studimi përfshiu mbi 32,000 pjesëmarrës nga UK Biobank, të cilët mbanin pajisje matëse në kyç për një javë për të regjistruar numrin dhe shpejtësinë e hapave.
Rezultatet treguan se, krahasuar me 2,300 hapa në ditë, ecja mbi 3,000 hapa dhe me intensitet më të lartë shoqërohej me ulje të ndjeshme të rrezikut për infarkt, dështim zemre dhe goditje në tru.
Për çdo 1,000 hapa shtesë në ditë, rreziku për dështim zemre ulej me 22%, për goditje me 24% dhe për infarkt me 9%, transmeton Gazeta Shneta.
Përfitimet u vunë re edhe te personat pa hipertension, duke përforcuar idenë se çdo aktivitet fizik, edhe nën kufirin e rekomanduar prej 10,000 hapash, ka ndikim pozitiv.
Dr. Emmanuel Stamatakis, drejtues i studimit, theksoi se këto gjetje japin objektiva të arritshme për përmirësimin e shëndetit të zemrës dhe duhet të promovohen nga mjekët si pjesë e kujdesit standard.
Sipas kardiologëve të tjerë, ecja ofron përfitime të shumta, përfshirë përmirësimin e funksionit autonom, profilit metabolik, reduktimin e inflamacionit dhe stresit psikologjik.
Edhe ecja me intensitet mesatar ndihmon në përmirësimin e fitnesit kardiovaskular, ndërsa çdo hap shtesë, mbi ose nën 10,000, sjell dobi të matshme për zemrën dhe enët e gjakut.