“Nga data 27 mars qytetarë të thjesht kanë marrë vendime në ndërtesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe LDK do të e çojë këtë çështje fillimisht me kallëzim penale dhe pastaj do të shohim për trajtim në kushtetuese”, tha Hykmete Bajrami para gazetarëve me të kaluar raporti i Komisionit Verifikues.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës synojnë të dëshmojnë që çdo vendim i marrë nga ish-anëtarë të qeverisë në detyrë, Albin Kurti (etj.) është i pavlefshëm, nëse jo në përmbajtje: në procedurë.
“Çdo veprim i kryeministrit dhe ministrave të rizgjedhur deputetë, te cilët sot dhanë betimin, nga dita e certifikimit e tutje, është i kundërligjshem”.
Kështu tha në një përgjigje me shkrim për Nacionale Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, pyetur rreth sfidimit të LDK-së ndaj vendimeve të marra nga Kurti dhe pjesëtarë të kabinitetit të vet qeveritar të zgjedhur deputet.
“Kjo, si rezultat i Ligjit për Qeverinë i cili përcakton që ata do të duhej të dorëhiqeshin nga pozitat qeveritare, për shkak te pëpershtatshmerisë për të qenë deputetë dhe km/ministra respektivisht, në të njëjtën kohë”, tha ajo për Nacionale.
“Meqe dje u konfirmua, me betim, qe synimi i tyre ka qenë te jenë deputetë, i bie që çdo veprim qeveritar i ndermarrë nga data e certifikimit e tutje, ka qenë i paautorizuar”.
Rrjedhimisht, siguron ajo, LDK do t’i identifikojë dhe adresojë vendimet e marra nga ata ish-anëtarë të kabinitetit të qeverisë – dhe t’i sfidojë ligjërisht.
“Prandaj, LDK do t’i pregadisë të gjitha kallëzimet penale të nevojshme dhe t’i dorezojë në prokurori, për kundërligjshmerinë e veprimeve të paautorizuara të ish kryeministrit dhe ministrave te cilët në cilesinë e deputetëve të certifikuar, kanë ndërmarrë veprime ekzekutive në kundershtim me ligjin”.
“Sapo t’i kemi kallezimet penale gati, për secilin rast nga kryeministri e deri te ministri i fundit që janë certifikuar e betuar si deputetë, do t’i dorezojmë në organet përkatese”, përfundoi Kica-Xhelili.
Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu ka konstatuar qysh herët se qëndrimi i Kurtit dhe ministrave të vet të zgjedhur si deputetë ishte shkelje kushtetuese dhe ligjore.
Sipas Grudës, siç e citoi “Radio Evropa e Lirë”, nëse Albin Kurti, dhe anëtarët e tjerë qeveritarë, pas betimit si deputetë vazhdojnë punën në ekzekutiv, ata do të bënin “shkelje kushtetuese dhe vepër penale”.