Drejtoresha e organizatës “Građanske inicijative”, Maja Stojanović, ka deklaruar për televizionin N1 se të rinjtë në Serbi kanë fuqinë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, edhe pa pasur ndryshime në kushtet aktuale zgjedhore. Siç transmeton Qendra.info, ajo e ka përkrahur publikisht kërkesën e studentëve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Rezultati i zgjedhjeve varet nga numri i pjesëmarrësve. Ne sot kemi një numër të madh të rinjsh që mund të ndikojnë ndjeshëm në përmbysjen e pushtetit,” ka thënë Stojanović për N1, duke theksuar se kjo iniciativë është shprehje e pakënaqësisë së gjerë qytetare.
Ajo gjithashtu ka deklaruar se është logjike të kërkohen zgjedhje të reja, edhe në kushte jo të favorshme, pasi pushteti nuk do të ofrojë kurrë kushte që mund të çojnë në humbjen e tij. “Shpresoj që të rinjtë jo vetëm të kërkojnë zgjedhje, por edhe të dalin dhe të votojnë,” ka shtuar ajo.
Sa i përket kushteve zgjedhore, Stojanović ka nënvizuar se Rregullatori i Mediave Elektronike (REM) është kushti më i rëndësishëm që mund të kontrollohet dhe se studentët tashmë e kanë kuptuar këtë. Ajo ka paralajmëruar se këtë herë do të ketë kandidatë të pavarur për Këshillin e REM-it në të gjitha nëntë zonat, për shkak të presionit publik.
BE po ndryshon qasjen ndaj Serbisë – qytetarët kërkojnë ndryshim
Në deklaratën e saj për N1, të cilën e transmeton Qendra.info, Stojanović ka theksuar se retorika e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë ka ndryshuar ndjeshëm që nga janari, si pasojë e presionit të rritur qytetar.
“Qytetarët e kanë bërë të qartë se nuk duan më të jetojnë në një sistem pa sundim të ligjit dhe siguri juridike. BE po e kupton këtë dhe nuk po e toleron më sjelljen e pushtetit aktual,” ka deklaruar ajo.
Sipas saj, mesazhi nga Brukseli është i qartë: shteti serb duhet të përmbushë obligimet ndaj BE-së, pavarësisht nëse qeveria aktuale është e gatshme apo jo ta bëjë këtë.