Ekspertja e zhvendosjeve ndërkombëtare, Cepee Tabibian, ka ndarë përvojën e saj personale dhe ka identifikuar faktorët që e bëjnë një vend më tërheqës për emigrantët amerikanë.
Tabibian, e cila në moshën 35-vjeçare braktisi jetën në Teksas për t’u vendosur në Spanjë, ka themeluar platformën “She Hit Refresh”, e cila ndihmon gratë mbi 30 vjeç të ndërmarrin hapa konkretë drejt një jete të re jashtë vendit të tyre.
Sipas saj, vendet më mikpritëse për amerikanët janë ato që ofrojnë viza të favorshme, kosto të ulët jetese, klimë sociale të hapur dhe komunitete të forta ndërkombëtare.
Shqipëria veçohet në këtë listë për shkak të politikës së saj liberale ndaj shtetasve amerikanë, të cilëve u lejohet qëndrimi deri në një vit pa vizë. Kjo e bën vendin një destinacion shumë tërheqës për ata që punojnë në distancë dhe kanë një buxhet të kufizuar.
Kryeqyteti, Tirana, është kthyer në një qendër të gjallë për komunitetin e të huajve, me anglishten që flitet gjerësisht dhe një atmosferë dinamike për jetën sociale dhe profesionale. Ndërkohë, Riviera shqiptare, me bregdetin e saj mahnitës përgjatë Detit Jon, ofron një alternativë më të qetë dhe të bukur për ata që kërkojnë natyrë dhe relaks.
Sipas CNBC, shumë amerikanë e shohin Shqipërinë si një “pikënisje ideale” për jetën jashtë SHBA-së – duke qëndruar në vend për një periudhë nga një deri në katër vjet, përpara se të zhvendosen drejt një destinacioni tjetër në Europë.
Destinacionet e tjera që përmenden nga CNBC përveç Shqipërisë përfshijnë:
Spanjën, për kulturën sociale të pasur dhe mundësitë për nomadët digjitalë.
Portugalinë, për stilin e relaksuar të jetesës dhe opsionet e shumta për viza.
Francën, për jetesën cilësore dhe politikat miqësore ndaj familjeve.
Holandën, për infrastrukturën moderne dhe lehtësitë për sipërmarrësit amerikanë.