Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 14:15 në afërsi të “Varrezave të Dëshmorëve” në Kaçanik, ku si pasojë e rrokullisjes së një traktori ka humbur jetën një person.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit, patrullat policore janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ku është gjetur një person i shtrirë në tokë dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Menjëherë është kërkuar ndihma emergjente, por për fat të keq, ekipi mjekësor i urgjencës ka konstatuar se viktima nuk kishte shenja jete”, ka deklaruar Veseli.
Sipas tij, rrethanat e aksidentit janë ende të paqarta, por dyshohet se traktori është rrokullisur disa metra nga rruga e fshatit Stagovë, duke përfunduar poshtë në rrugën magjistrale Kaçanik–Hani i Elezit.
“Në lidhje me rastin është njoftuar njësia rajonale e trafikut për procedurat e mëtejme”, ka shtuar ai.
Policia dhe organet kompetente kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e këtij aksidenti tragjik.