Berlin, 20 qershor 2025 – Qeveria gjermane ka emëruar diplomatin e njohur Martin Jäger si presidentin e ri të Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND), duke e zëvendësuar Bruno Kahl, i cili pas gati nëntë vitesh në këtë post do të marrë detyrën e ambasadorit në Vatikan. Data e saktë e marrjes së detyrës nga Jäger ende nuk është bërë publike.
Jäger, 60 vjeç, konsiderohet si një nga diplomatët më të përgatitur të Gjermanisë, veçanërisht në trajtimin e krizave ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si ambasador në Afganistan, Irak dhe së fundmi në Ukrainë – zona këto me rëndësi të madhe strategjike për Gjermaninë dhe politikën e jashtme europiane.
I lindur në Ulm dhe i diplomuar në etnologji dhe shkenca politike në Mynih, Jäger ka nisur karrierën në Ministrinë e Jashtme dhe më pas ka punuar në kabinetin e kancelarisë. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit aktual të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, duke shërbyer si këshilltar dhe zëdhënës në periudha të ndjeshme, përfshirë krizën e pengjeve gjermane në Irak në vitin 2006.
Në vitin 2008, ai përkohësisht largohet nga politika dhe i bashkohet industrisë së automobilave, ku drejton sektorin e marrëdhënieve me jashtë në kompaninë Daimler. Por në vitin 2013 rikthehet në diplomaci si ambasador në Afganistan, gjatë një periudhe kritike për misionin ushtarak gjerman.
Më vonë ai merr detyra të rëndësishme edhe në politikën e brendshme, duke shërbyer si sekretar shteti në Ministrinë e Brendshme të landit Baden-Württemberg, ku ka qenë një zë i qartë në çështjet e politikës së migracionit.
Në vitin 2021 emërohet ambasador në Irak, dhe në korrik 2023 merr detyrën e ambasadorit gjerman në Ukrainë – një post i ndjeshëm në një vend që ndodhet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të agresionit rus.
Emërimi i tij në krye të BND-së shihet si një hap strategjik, në një kohë kur nga shërbimi inteligjent pritet të jetë më efikas dhe më i përgatitur për sfidat globale të sigurisë. Jäger do t’i raportojë drejtpërdrejt kabinetit të kancelarit dhe pritet të sjellë një qasje më dinamike dhe të orientuar drejt terrenit, veçanërisht në raport me krizën në Ukrainë./QENDRA.INFO