Tre milionë euro do t’i kushtojë Qeverisë së Kosovës ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Tenderi për ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi Ibër është nënshkruar të martën më 1 korrik. Në të njëjtën ditë do të vendoset edhe gurthemeli i urave, njoftoi të martën Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Kontratën, të cilën e ka dhënë Ministria e Infrastrukturës, e ka fituar kompania “EUROKOS HOLDING” SH.P.K., e cila është përzgjedhur fituese në një proces të negociuar të prokurimit, raporton Paparaci.
Vlera e kontratës është saktësisht 2,999,628.18, bazuar në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës të publikuar në platformën e-prokurimi.
Kompania EUROKOS HOLDING është përzgjedhur fituese e tenderit për ndërtimin e urave mbi lumin Ibër
Urat planifikohen të ndërtohen paralelisht me urën që aktualisht ndodhet mbi lum dhe që lidh dy komunat e Mitrovicës, sipas një projekti të ilustruar në një fotografi të cilën e publikoi Lëvizja Vetëvendosje në rrjetet sociale para disa kohësh.
“Ky projekt do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe do të shërbejnë si infrastrukturë për komunikim, integrim dhe zhvillim ndërmjet dy pjesëve të qytetit”, tha Vetëvendosje në postim.
Qeveria në detyrë e Kosovës tha të martën se kryeministri Kurti do të jetë prezent në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e urave të martën pasdite.
Sipas njoftimit të qeverisë në detyrë, në orën 17:00 do të vendoset gurthemeli i urës për kalimin e veturave mbi Ibër, ndërsa pak më vonë do të vendoset gurthemeli për urën për kalimin e këmbësorëve.
Qeveria tha se përpos Kurtit, në ceremoni do të marrin pjesë edhe nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe ministrat Elber Krasniqi e Liburn Aliu.
Projekti realizohet në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut. /Paparaci.com