Në luginën e thellë mes vargmaleve Hindu Kush dhe Himalaje, në fshatin budist të Upper Mustang në Nepal, 3,962 metra mbi nivelin e detit jetesa rridhte ngadalë, dele që kulloseshin lirisht dhe elb që korrej nën shkëmbinjtë e thatë, pranë “shpellave qiellore” 2,000-vjeçare, përdorur dikur për varrime të lashta, meditim e strehim.
Por edhe këtu klima po ndryshonte shpejt. Malet e mbuluara dikur me dëborë tani ishin të zhveshura dhe të thatë, sepse reshjet e borës po zbehen vit pas viti. Burimet dhe kanalizimet shpërndaheshin, dhe çdo shi i rrëmbyer përmbytej menjeherë, duke shkatërruar tarracat, duke shembur shtëpitë prej balte dhe duke lënë pas vete rrënoja e gjurmë të ujërave të përmbytura.
Një nga një, familjet lëshuan shtëpitë stërgjyshore për t’i shpëtuar thatësirës dhe përmbytjeve, duke lënë pas skelete të një komuniteti që po merrte formë tjetër nga duart e pamëshirshme të ndryshimeve klimatike.
Një klimë në ndryshim
Rajonet malore Hindu Kush dhe Himalaje, që shtrihen nga Afganistani deri në Myanmar, përmbajnë më shumë akull se çdo tjetër vend jashtë Arktikut dhe Antarktidës. Akullnajat e këtyre zonave furnizojnë lumenjtë kryesorë të Azisë, nga të cilët varen drejtpërdrejt 240 milionë banorë të zonave malore dhe mbi 1.65 miliardë të tjerë që jetojnë në ultësira.
Këto rajone me lartësi të mëdha po përjetojnë ngrohje më të shpejtë se zonat e ulëta. Akullnajat po tërhiqen, permafrosti (zona të ngrira përgjithmonë) po shkrin, dhe reshjet e borës po bëhen gjithnjë e më të rralla e të paparashikueshme, sipas Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillim të Integruar Malor (ICMOD), me qendër në Katmandu.
Kunga Gurung, 54 vjeç, është një nga shumë banorë të Himalajeve që tashmë po përballen me pasojat e drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike.
“U detyruam të zhvendosemi sepse nuk kishte më ujë. Na duhet ujë për të pirë dhe për të punuar. Por atje nuk kishte. Tre përrenj, dhe të tre u thanë,” tha Gurung.
Sipas profesorit të gjeografisë njerëzore Neil Adger nga Universiteti i Exeter, ndryshimi i klimës po ndryshon në heshtje vendet ku njerëzit mund të jetojnë dhe të punojnë, duke ndikuar në bujqësi, furnizimin me ujë dhe modelet e motit.
Në rajone si Mustang, kjo po e bën jetesën gjithnjë e më të vështirë, edhe kur vetë banorët nuk e përmendin ndryshimin klimatik si shkakun kryesor të largimit të tyre.
“Çdo ditë, modelet e çrregullta të motit po ndikojnë realisht në aftësinë e njerëzve për të jetuar në zona të caktuara,” tha Adger.
Komunitetet e detyruara të zhvendosen
Në malet më të larta të botës, Samjung nuk është i vetmi komunitet që duhet të fillojë nga e para, tha Amina Maharjan, një specialiste e migracionit në ICMOD. Disa fshatra lëvizin vetëm në distanca të shkurtra, por në mënyrë të pashmangshme shkaku kryesor është mungesa e ujit.
“Mungesa e ujit po bëhet kronike”, tha ajo.
Në Mustangun e Epërm nuk ka rënë borë për gati tre vjet, një goditje e rëndë për ata që jetojnë dhe bëjnë bujqësi në fshatrat me lartësi të madhe. Reshjet e borës tradicionalisht përcaktojnë kalendarin sezonal, duke përcaktuar se kur mbillen të korrat e elbit, hikërrorit dhe patateve dhe duke ndikuar në shëndetin e bagëtive që kullosin.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Maharjan.
Për Samjung, thatësira dhe humbjet në rritje filluan rreth ndërrimit të shekullit. Shtëpitë tradicionale prej balte të ndërtuara për një klimë të thatë dhe të ftohtë malore u shembën ndërsa shirat musonikë u bënë më intensivë – një ndryshim që shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimatike.
Shpatet e pjerrëta dhe luginat e ngushta të rajonit e kanalizojnë ujin në përmbytje të menjëhershme që shkatërruan shtëpi dhe toka bujqësore, duke shkaktuar një valë migrimi që filloi një dekadë më parë.
Gjetja e një vendi për një fshat të ri
Zhvendosja e një fshati madje edhe e një fshati me më pak se 100 banorë si Samjung nuk ishte një sipërmarrje e thjeshtë. Ata kishin nevojë për qasje të besueshme në ujë dhe komunitete aty pranë për mbështetje gjatë fatkeqësive. Zhvendosja më afër rrugëve malore dredha-dredha do t’u lejonte fshatarëve të tregtonin të korrat e tyre dhe të përfitonin nga turizmi në rritje. Përfundimisht, mbreti i Mustang, i cili ende zotëron sipërfaqe të mëdha toke në zonë gati dy dekada pasi Nepali shfuqizoi monarkinë e tij, siguroi tokë të përshtatshme për një fshat të ri.
Pemba Gurung, 18 vjeç, dhe motra e saj Toshi Lama Gurung, 22 vjeç, nuk kujtojnë shumë për shpërnguljen nga fshati i tyre i vjetër. Por ato kujtojnë sa e vështirë ishte të fillonin nga e para. Familjet kaluan vite duke mbledhur materiale për të ndërtuar shtëpi të reja prej balte me çati kallaji të ndritshme në brigjet e lumit akullnajor Kali Gandaki, gati 15 kilometra (9 milje) larg. Ata ndërtuan strehimore për bagëtinë dhe kanale për të sjellë ujë në shtëpitë e e tyre. Vetëm atëherë mund të shpërnguleshin.
Disa fshatarë ende kullosin dele dhe jakë, por jeta është pak më ndryshe në New Samjung, i cili është afër Lo Manthang, një qytet mesjetar i rrethuar me mure i izoluar nga bota deri në vitin 1992, kur të huajve iu lejua për herë të parë ta vizitonin. Është një qendër për pelegrinët dhe turistët që duan të shëtisin në malet e larta dhe të eksplorojnë kulturën e tij të lashtë budiste, kështu që disa fshatarë punojnë në turizëm.
Motrat Pemba dhe Toshi janë mirënjohëse që nuk u duhet të kalojnë orë të tëra duke mbushur ujë çdo ditë. Por atyre u mungon shtëpia e tyre e vjetër.
“Është vendi ynë i origjinës. Ne dëshirojmë të kthehemi. Por nuk mendoj se do të jetë ndonjëherë e mundur”, tha Toshi.
AP – Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha