Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Pejë nën dyshimin për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, pas një hetimi që kishte nisur disa muaj më parë.
Sipas raportit zyrtar, të dyshuarit, të gjithë meshkuj kosovarë, gjatë periudhës maj 2024 – janar 2025, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrat dhe pozitat e tyre brenda një kompanie private me qëllim përfitimi personal, duke i shkaktuar kompanisë një dëm të konsiderueshëm financiar në vlerë prej rreth 31,000 euro.
Gazeta Insajderi nga burimet ka mësuar se të arrestuarit janë: Armur Mehmeti, Argjent Zekaj, Ardit Maxharraj.
Arrestimi i tyre është kryer më 1 korrik 2025, pas përfundimit të hetimeve të zhvilluara nga njësitet kompetente të Policisë në Pejë.
Sipas informacioneve zyrtare, të dyshuarit, të cilët ishin të punësuar në një kompani private në rrugën “Bill Klinton” në Pejë, dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm rreth 31,000 euro, duke dëmtuar financiarisht kompaninë ku punonin.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, Shkodran Nikçi, tha për Gazetën Insajderi se të njëjtit janë ndaluar për 48 orë
“Pas një punë intensive hetimore me policinë e Kosovës, te njëjtit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”, ku shuma e keqpërdorimit është mbi 30 mijë euro”, tha ai./insajderi.org/