Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ndodhet në një krizë të thellë institucionale, me pasoja serioze për cilësinë e arsimit të lartë në vend. Nën udhëheqjen e rektorit të sapoemëruar, Drilon Bunjaku, universiteti ka mbetur me vetëm një program të akredituar, ndërsa pjesa tjetër e menaxhmentit akademik është tronditur nga dorëheqje të njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë. Lajmi është publikuar nga Gazeta Insajderi, e cila ka siguruar dokumente që vërtetojnë dështimin e akreditimit të shumicës së programeve studimore nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).
Rektor pa përvojë, i emëruar menjëherë pas doktoratës
Kontestime të forta po ngrihen lidhur me mënyrën dhe kriteret e emërimit të rektorit të këtij universiteti. Drilon Bunjaku, sipas burimeve të Gazetës Insajderi, sapo kishte përfunduar studimet e doktoratës kur ishte emëruar profesor asistent në Universitetin e Prishtinës, për t’u ngritur menjëherë më pas në pozitën e rektorit të Universitetit të Gjakovës. Kjo ka ngjallur dyshime të mëdha mbi seriozitetin e vendimeve institucionale dhe përfshirjen e kritereve profesionale në përzgjedhje.
Pyetja që po shtrohet tashmë në qarqet akademike dhe publike është: A është e udhës që Ministria e Arsimit t’ua besojë menaxhimin e universiteteve personave me përvojë minimale dhe pa përgatitje të thelluar në menaxhim arsimor?
Dorëheqje të njëpasnjëshme nga udhëheqja akademike
Sipas Insajderit, programet si Edukimi Fillor, Mësimdhënia e Gjuhës Angleze, Informatikë Inxhinierike dhe Letërsia për Fëmijë janë refuzuar nga AKA për riakreditim. Përveç kësaj, dorëheqjet në menaxhmentin e lartë janë shndërruar në fenomen.
Së fundmi, Dafina Kaqurri, prorektore për Mësim dhe Çështje të Studentëve, ka dhënë dorëheqje, duke përmendur “dështimet në procesin e akreditimit, mungesën e transparencës dhe klimën e rënduar ndërpersonale në udhëheqje”.
Para saj, Arben Boshnjaku, Prorektor për Hulumtime Shkencore, kishte bërë të njëjtin hap. Dorëheqja e tij është miratuar në mënyrë unanime nga Këshilli Drejtues i Universitetit, më 13 shkurt 2025.
Në të njëjtën kohë, Kaltrina Kusari, prorektore për Sigurim të Cilësisë, ka marrë pushim pa pagesë dhe është larguar për në Kanada.
Emërime me prapavijë politike dhe përplasje me etikën akademike
Gazeta Insajderi ka raportuar më herët edhe për emërime të dyshimta me ndikim politik. Kaltrina Kusari, motra e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, Ermal Kusari, ishte përzgjedhur si asistente në mesin e pesë kandidatëve për pozitën e profesorit asistent në Fakultetin e Shkencave Sociale. Vetëm dy javë më vonë, më 18 dhjetor, ajo u emërua prorektore për Zhvillim Akademik dhe Sigurim të Cilësisë.
Përveç saj, edhe Kimete Canaj, prodekane për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fakultetin e Mjekësisë, ka dhënë dorëheqje, duke thelluar boshllëkun në strukturat udhëheqëse të universitetit.
Ministria vazhdon me qasje joprofesionale
Përkundër gjithë këtyre zhvillimeve shqetësuese, Ministria e Arsimit, e udhëhequr nga Arbërie Nagavci, nuk ka treguar reagim, përkundrazi, sipas raportimit të Insajderit, vazhdon me emërime që ngjallin dyshime për amatorizëm dhe mungesë të kritereve profesionale. Kryetare e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës është emëruar një mësuese e ciklit të ulët nga arsimi fillor, duke ngritur shqetësime për kualifikimet dhe përgatitjen e saj për një rol kaq të rëndësishëm.
Pa përgjigje nga universiteti
Gazeta Insajderi ka kontaktuar zyrtarisht Universitetin e Gjakovës për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me këto zhvillime, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar asnjë përgjigje.
Ky zhvillim tregon për një krizë më të thellë në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, ku politika, përvoja minimale dhe mungesa e transparencës po dominojnë në emërimet kyçe – me pasoja të drejtpërdrejta për cilësinë dhe të ardhmen e universiteteve publike në vend.