Pejë, 3 korrik 2025 – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MAShTI) ka ndërhyrë në një vendim tashmë të miratuar nga Senati i Universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës, duke anuluar përzgjedhjen e katër anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues. Ky vendim përfaqësohet nga Emine Abdyli‑Pozhari, e deleguar nga ministria dhe e vendosur në krye të Këshillit Drejtues që nga viti 2021.
Në vendimin e nënshkruar nga znj. Abdyli‑Pozhari, ai i datës 1 korrik është shpallur i pavlefshëm “për shkak se Senati i ri, me përbërje të paplotë e pa mandat të plotë deri më 1 tetor 2025, ka tejkaluar kompetencat e veta”. Si rrjedhojë, vendimi i Senatit që emëronte katër profesorë – Prof. Asoc. Arsim Kelmendi, Prof. Asoc. Dr. Berat Aqifi, Prof. Ass. Dr. Valdrin Misiri dhe Prof. Ass. Dr. Hajrija Škrijelj Hamdiu – për t’u bërë anëtarë me mandat trevjeçar, është shfuqizuar.
Megjithatë, vendimi i marrë nga znj. Abdyli‑Pozhari rezulton të jetë i paligjshëm për shkak të mungesës së kuorumit në mbledhjen ku është miratuar. Sipas informacioneve zyrtare, në mbledhjen e Këshillit Drejtues, i cili përbëhet nga 7 anëtarë, kanë qenë të pranishëm vetëm 3 anëtarë në momentin e vendimmarrjes.
Kjo situatë përbën një shkelje të qartë të rregulloreve për funksionimin e organeve akademike, pasi mungesa e kuorumit e bën vendimin të paligjshëm dhe potencialisht të cenueshëm sipas legjislacionit në fuqi për institucionet arsimore.
Ndërhyrja e MAShTI-t dhe shfuqizimi nën motivin e “kompetencave të limituara” të Senatit jo vetëm rrezikon autonominë e universitetit, por ngre edhe pyetje për transparencën dhe respektimin e procedurave ligjore e akademike. Agjenda e Qendra Info, në pritje edhe të një reagimi nga ministria, do të vijojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet për këtë çështje./Qendra.INFO