Këshilli Kombëtar Shqiptar ka filluar ekzekutimin e pagesave për bursa studentore për të rinjtë shqiptarë nga Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku, në kuadër të programit “Përkrahje për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun”, financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht nga Zyra e Kryeministrit.
Sipas vendimit të bërë publik, secili student përfitues do të marrë shumën 661 euro e 30 cent, ndërsa në total do të shpërndahen afro 500 mijë euro nga buxheti i shtetit të Kosovës. Përfitues janë studentët e regjistruar në nivelin Bachelor dhe Master, të moshës deri në 26 dhe 28 vjeç përkatësisht.
Thirrja për aplikim nuk ka përfshirë asnjë kriter akademik, siç janë nota mesatare, institucioni ku kryhen studimet apo fusha e studimeve. Kriteri i vetëm i përmendur në konkurs ka qenë statusi i studentit të rregullt dhe kufiri i moshës.
Kjo nënkupton që bursa kanë përfituar të gjithë studentët në mënyrë të barabartë, pa dallim të suksesit akademik apo cilësisë së institucionit arsimor, çka ka ngjallur reagime nga vetë studentët dhe shoqëria civile në Luginë.
“Është absurde që një student me notë mesatare mbi 9.5 në Universitetin Publik të Prishtinës të trajtohet njësoj me dikë që mezi kalon provimet në institucione jopublike dhe pa cilësi të qartë”, tha për Qendra.Info një student nga Presheva që nuk dëshiron të identifikohet.
Qendra.Info ka siguruar informacione të konfirmuara se studentë me notë mesatare mbi 9 në Universitetin Publik të Prishtinës, të cilët kanë aplikuar në kohë për bursë, nuk janë përfshirë në listën e përfituesve. Kjo hedh dyshime serioze mbi mënyrën e vlerësimit dhe përzgjedhjes së aplikantëve.
Praktikat ndërkombëtare në ndarjen e bursave zakonisht përfshijnë kritere të kombinuara si:
Nota mesatare dhe performanca akademike;
Kualiteti i institucionit të arsimit të lartë;
Gjendja ekonomike e studentit;
Fusha e studimeve dhe prioriteti publik;
Aktivitetet kërkimore, angazhimi qytetar ose shkencor.
Në këtë rast, bursat janë shpërndarë pa sistem pikëzimi, pa komision vlerësues të pavarur dhe pa publikim të listave përfundimtare me arsyetim, duke ngritur dyshime për standardin e ndarjes së fondeve dhe ndikimin afatgjatë që një praktikë e tillë mund të ketë në cilësinë e arsimit dhe motivimin e studentëve.
Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk ka dhënë ndonjë koment publik mbi këtë çështje deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.