Një 46-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar ditën e sotme në Tiranë. Bëhet fjalë për Elis Roga, ndaj të cilit Gjykata e Romës kishte lëshuar një urdhër arresti për përfshirje në një organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas Kodit Penal italian, këto vepra penale parashikojnë një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.
Operacioni policor, i koduar “Operacionalja 53”, u finalizua nga strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane dhe projektin ndërkombëtar I-CAN.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet:
“Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat i operacionit ‘Operacionalja 53’, u lokalizua dhe arrestua në Tiranë shtetasi E. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.”
Ndaj tij ishin ngritur akuza për “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike”, për të cilat drejtësia italiane ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar.
Aktualisht, po vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Italisë, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane të drejtësisë.