Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku në fshatin Treboviq të Pejës.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Policia e Kosovës.
“Si pasojë e këtij vetaksidenti, një person ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor. Dy të lënduarit e tjerë janë dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal në Pejë, dhe më pas, për shkak të natyrës së lëndimeve, janë transferuar në QKUK në Prishtinë. Viktima dhe të lënduarit janë persona të mitur”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Nga policia është bërë e ditur se deri te ky vetaksident dyshohet se ka ardhur si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve të rrugës.
“Aksidenti ka ndodhur teksa automjeti po qarkullonte në rrugën Pejë–Trestenik, dhe me të arritur në fshatin Treboviq të Pejës, ka humbur kontrollin”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Gjatë javës së kaluar, për katër ditë kishin ndodhur afër 250 aksidente.