Tridhjetë e një punëtorë që ndodheshin në një tunel nëntokësor në Los Angeles u shpëtuan të mërkurën në mbrëmje, pasi një pjesë e tunelit u shemb, njoftuan autoritetet.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angeles (LAFD), asnjë nga personat e shpëtuar nuk ka shfaqur lëndime të dukshme. Disa prej tyre u nxorën nga tuneli me ndihmën e një vinçi gjatë një operacioni të ndërlikuar.
Në vendngjarje ndërhynë mbi 100 zjarrfikës, përfshirë ekipet e specializuara të Kërkimit dhe Shpëtimit Urban. Ngjarja ndodhi në lagjen Wilmington, ndërsa kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, e bëri publike ndërhyrjen përmes platformës X.
Shembja ndodhi rreth 5 deri në 6 milje larg hyrjes së vetme të tunelit dhe rreth 400 metra nën sipërfaqe. Tuneli është pjesë e një projekti për menaxhimin e ujërave të zeza të qytetit.
Raportet fillestare tregojnë se punëtorët e bllokuar u ngjitën mbi një shtresë dheu të lirshëm, të lartë rreth 3 deri në 4.5 metra, për t’u bashkuar me kolegët në një pjesë tjetër të tunelit. Më pas, ata u dërguan në hyrjen kryesore me një automjet të posaçëm tuneli.