Projekti HS2, hekurudha super e shpejtë që pritet të lidhë Londrën me qytetet veriore si Birmingham dhe Manchester, është një ndër ndërmarrjet më të mëdha infrastrukturore në botë. Por megjithëse synon të sjellë përfitime ekonomike, udhëtime më të shpejta dhe më të pastra, kostoja dhe ndikimi mjedisor kanë ngritur kritika të ashpra.
Çmimi që po paguhet
Kostoja totale e projektit ka arritur deri në 117 miliardë euro – trefishi i buxhetit fillestar prej rreth 38 miliardë eurosh. Vetëm faza e parë, nga Londra në Birmingham, po kushton më shumë se sa e gjithë projekti ishte parashikuar në fillim: rreth 52 miliardë euro.
Vetëm për blerjen e pronave përgjatë rrugës janë shpenzuar mbi 4.6 miliardë euro, trefishi i vlerësuar fillimisht. Shkak janë bërë vlerësimet e pasakta të terrenit dhe ndryshimet e shumta në projekt.
Humbja natyrore dhe protestat
Përkundër përpjekjeve për të minimizuar dëmet, rreth 24 hektarë pyje antike do të preken – sa 34 fusha futbolli. Janë planifikuar të mbillen 7 milionë pemë dhe shkurre, por për disa, humbja e pyjeve të vjetër sa epoka e Mbretëreshës Elizabeth I është e papranueshme. Kjo ka sjellë protesta masive, nga zona rurale deri në zemër të Londrës.
Edhe pse HS2 premton të lërë pas më shumë habitate natyrore sesa ekzistojnë sot, aktivistët mjedisorë paralajmërojnë për rrezik ndaj specieve të rralla, përfshirë lakuriqët e natës të rrezikuar.
Vonesa dhe paqartësi
Faza e parë pritej të përfundonte më 2026, por është shtyrë të paktën deri më 2029. Faza e dytëb (2b), që do të shtrihej deri në Manchester dhe më parë planifikohej edhe për Leeds, ende nuk është miratuar nga Parlamenti.
Po ashtu, stacionet – si ai në Euston – kanë pësuar vonesa të mëdha. Ndërtimi nisi para se të finalizoheshin projektet përfundimtare.
Ndarja veri–jug
Ndërsa Londra vazhdon të përfitojë nga investime si linja Elizabeth, qytete si Leeds dhe pjesa tjetër e Veriut të Anglisë mbeten prapa. Premtimet për ta “barazuar” zhvillimin mes rajoneve nuk po përkthehen në investime reale, sipas kritikëve.
Sipas analizave, nëse kostoja përfundimtare e HS2 arrin në 117 miliardë euro, çdo qytetar britanik do të kontribuonte mesatarisht mbi 1,300 euro, ndërkohë që një pjesë shumë e vogël e popullsisë do të përfitojë drejtpërdrejt.