Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë në Ukrainë përmes aleancës së NATO-s, duke theksuar se NATO do të mbulojë tërësisht koston e këtyre armëve.
Deklarata u bë gjatë një interviste për transmetuesin NBC, ku Trump tha se “armët po dërgohen fillimisht në NATO, dhe më pas aleanca po i transferon ato në Ukrainë, duke paguar 100% për to”. Kjo deklaratë vjen pak ditë pasi Pentagoni kishte njoftuar për pezullimin e disa dërgesave të armëve për shkak të shqetësimeve për rezervat amerikane.
Trump gjithashtu njoftoi se më 14 korrik do të bëjë një “deklaratë të madhe” për Rusinë, pa dhënë më shumë detaje. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën në formën e armëve mbrojtëse, veçanërisht në kohën kur intensifikohen sulmet ruse.
Presidenti amerikan tha se është duke shqyrtuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Moskës, përfshirë tarifat ndaj vendeve që mbështesin luftën e Rusisë dhe masa ndëshkuese për sistemin bankar rus. Propozimi është prezantuar nga senatorët Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që aleatët t’i përdorin asetet e ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës, si dhe ka bërë thirrje për më shumë furnizime me armë, investime dhe prodhim të përbashkët të teknologjisë ushtarake.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u takua me homologun rus Sergei Lavrov në margjina të një samiti në Kuala Lumpur. Pas takimit, Rubio tha se kishte një “bisedë të sinqertë” dhe se kishte theksuar nevojën për një plan konkret për përfundimin e konfliktit në Ukrainë.
Rubio sqaroi gjithashtu se raportimet për ndaljen e ndihmës ushtarake amerikane ishin keqinterpretuar dhe se mbështetja për Kievin ka vazhduar. Ai shtoi se Ukraina ka nevojë urgjente për sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilat janë të disponueshme në disa shtete evropiane, por mungon vullneti për t’i ndarë ato.
Sipas Rubio-s, Rusia ka humbur rreth 100 mijë ushtarë që nga janari i këtij viti, ndërsa humbjet e Ukrainës janë më të vogla, por gjithsesi të ndjeshme.
Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt 2022, kur presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi pushtimin si një “operacion special ushtarak” për, siç tha ai, çmilitarizimin e Ukrainës. Nga ajo kohë, mijëra persona kanë humbur jetën, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur, në një nga krizat më të mëdha humanitare në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.