Kombëtarja e Kosovës në futboll ka shënuar sukses historik duke u ngjitur në vendin e 95-të në renditjen më të fundit të publikuar nga FIFA – pozita më e lartë që nga pranimi në këtë organizatë.
Sipas FIFA-s, Kosova dhe Kanadaja janë dy kombëtaret që kanë arritur renditjen më të mirë ndonjëherë. Kanadaja tani mban vendin e 28-të.
Në krahasim me renditjen e kaluar të publikuar në prill, Kosova ka bërë progres duke u ngritur për dy pozita, falë rezultateve pozitive në ndeshjet miqësore të qershorit kundër Armenisë dhe Komoreve, si dhe fitoreve në plejofin e Ligës së Kombeve ndaj Islandës në muajin mars.
Në krye të listës globale qëndron Argjentina, e ndjekur nga Spanja, Franca, Anglia dhe Brazili. Dhjetëshja e parë plotësohet nga Portugalia, Holanda, Belgjika, Gjermania dhe Kroacia.
Ndërkohë, Shqipëria ka pësuar një rënie prej dy pozicionesh dhe tani ndodhet në vendin e 68-të.
Renditja e radhës e FIFA-s do të publikohet më 18 shtator 2025.