Disa komuna të Kosovës, përfshirë Ferizajn dhe Lipjanin, janë përballur sot me bllokimin e xhirollogarive të tyre bankare. Lajmi është bërë i ditur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), i cili ka ngritur shqetësimin se ky veprim po i dëmton drejtpërdrejt institucionet komunale dhe qytetarët.
Sipas AKK-së, bllokimi po paralizon funksionimin e komunave dhe po rrezikon ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, përfshirë ato publike dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës.
“Edhe pse këto bllokime ndërlidhen me vendime përmbarimore, ato janë rezultat i mungesës së zgjidhjes nga niveli qendror për detyrimet që nuk janë krijuar nga vetë komunat, siç është rasti me kontratat kolektive. Komunat nuk mund të mbajnë përgjegjësi për vendime që nuk i kanë marrë vetë. Bllokimi i komunave është bllokim i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe kjo gjendje duhet të marrë fund menjëherë”, deklaroi drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi.
Ai kërkoi nga Qeveria që të ndërhyjë urgjentisht për lirimin e xhirollogarive dhe të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme ligjore dhe financiare, që garanton funksionimin normal të komunave dhe ruan autonominë e pushtetit lokal.