Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka konfirmuar se gjatë kësaj jave do të zhvillojë një takim me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar rreth mundësisë së ndërtimit të një shumice parlamentare.
Limaj tha se tashmë ka pasur kontakt me përfaqësues të VV-së dhe pritet që brenda ditëve të ardhshme të caktohet edhe vendi dhe koha e takimit. Ai e cilësoi këtë iniciativë si të domosdoshme për të dalë nga bllokada aktuale politike në Kuvendin e Kosovës.
“Kur ta caktojmë vendin, do t’ju informojmë. Duhet të bisedojmë për të dalë nga kjo situatë. Gjëja më e zakonshme, siç janë bisedimet mes partive, është bërë e jashtëzakonshme. Pa dialog ndërmjet partive nuk ka zgjidhje të krizës,” u shpreh Limaj.
Ai konfirmoi se i ka ofruar Kurtit bashkëpunim për krijimin e shumicës së nevojshme parlamentare.
“Ia kemi zgjatur dorën e bashkëpunimit për të bërë shumicën parlamentare. Kosova ka votuar për të pasur një qeveri dhe një kryeministër. Vetëvendosje është partia e parë që ka marrë shumicën e votave, dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për përmbushjen e vullnetit të shumicës,” deklaroi ai.
Limaj bëri të ditur se është i hapur edhe për takime me liderët e tjerë politikë, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme për krizën institucionale në vend.