Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka shpallur të pafajshëm pesë efektivë policie, të cilët akuzoheshin për shpërdorim detyre në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.
Vendimi ka zhgënjyer thellë familjarët e viktimës, të cilët deklaruan se drejtësia nuk u vu në vend dhe se ky ishte një vendim “i padrejtë dhe i dhimbshëm”.
Prokuroria kishte kërkuar 1 vit e 6 muaj burg për secilin nga të pandehurit, duke theksuar se mungesa e masave të sigurisë në plazhe publike krijoi rrethanat që sollën vdekjen tragjike të Jonadës. Por trupa gjykuese rrëzoi të gjitha akuzat, duke i shpallur të pafajshëm të gjithë policët e përfshirë në çështje.
Në sallën e gjyqit foli edhe gjyshi i viktimës, Ismet Avdiaj, i cili u shpreh i zhgënjyer nga vendimi:
“Kjo është një goditje e dytë për familjen tonë. Nuk pati drejtësi për Jonadën. Faktet dhe provat tona u injoruan.”
Ngjarja tragjike ndodhi kur 7-vjeçarja Jonada po lahej në breg të detit bashkë me babain e saj, dhe u godit për vdekje nga një skaf i drejtuar nga polici Arjan Tase, i cili kishte hyrë në zonën e ndaluar për mjete lundruese.
Në një proces të veçuar, Gjykata dënoi Arjan Tasen me 12 vite burg për veprën penale “vrasje me dashje”, duke përfituar ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ky vendim e përmbyll procesin penal që zgjati afro tre vite, me vetëm një person të dënuar, ndërsa strukturat që kishin për detyrë të garantonin sigurinë publike në plazh nuk u mbajtën ligjërisht përgjegjëse.