Një 14-vjeçar është ndaluar nga Policia e Kosovës në Ferizaj në orët e mesnatës së të shtunës, pasi u raportua se mbante me vete një armë zjarri dhe një sprej.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitë policore janë aktivizuar menjëherë pas marrjes së informatës dhe kanë ndaluar të miturin. Gjatë kontrollit fizik, atij i është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri pa fishekë dhe një sprej.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës të caktuar nga shteti. Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin kujdestar për të mitur, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka sekuestruar armën dhe sprejin si prova materiale. Rasti mbetet në trajtim nga njësia për hetime të mëtejshme.