Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me arrestimin e Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke theksuar se ai do të përballet me ligjin për veprimet e tij.
Popoviq u arrestua nga Policia e Kosovës në pikën kufitare të Bërnjakut, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Gjatë një fjalimi të mbajtur në fshatin Hoqë e Madhe të Rahovecit, ai kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste dhe e kishte krahasuar atë me ngjarje të rënda ndërkombëtare.
Ministri Sveçla tha se deklarimet dhe veprimet e Popoviqit ishin të qëllimshme dhe përbëjnë shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës. “Ka bërë një vepër penale, të qëllimshme dhe të papranueshme për ligjin, rendin dhe kushtetueshmërinë e vendit. Do të përballet me ligjin,” deklaroi Sveçla.
Policia ka sekuestruar përkohësisht dy telefona celularë si prova materiale. Pas intervistimit në prani të avokatit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar.