Në prag të përmbushjes së afatit kushtetues për konstituimin e institucioneve të reja në Kosovë, situata politike po tensionohet më tej. Pas ndërprerjes së 49 seancave radhazi pa sukses, dy lëndë të reja pritet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar zgjidhje juridike ndaj krizës institucionale.
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se, nëse Kuvendi dhe Qeveria nuk konstituohen deri më 26 korrik, ajo do të drejtohet në fillim të javës së ardhshme në Gjykatën Kushtetuese. Ajo theksoi se vonesat tashmë po e dëmtojnë funksionimin e shtetit dhe se mosrespektimi i afatit do të sjellë pasoja ligjore.
“Nëse nuk ka institucione apo marrëveshje këtë vikend, atëherë do të drejtohemi në fillim të javës në Gjykatën Kushtetuese. Nuk po flas për pasoja penale, por për pasoja juridike”, tha Osmani.
Lënda e dytë pritet të dërgohet nga Lëvizja Vetëvendosje, që ka paralajmëruar apelim të vendimit të Gjykatës Supreme në lidhje me rastin e ministrit në detyrë dhe deputetit Hekuran Murati. Gjykata kishte konstatuar se mbajtja njëkohësisht e dy pozitave nga Murati bie ndesh me ligjin, vendim që VV synon ta kontestojë në Kushtetuese.
Sipas përfaqësuesve të VV-së, betimi i Muratit si ministër është bërë para hyrjes në fuqi të udhëzimit përkatës, dhe se Gjykata Supreme, sipas tyre, ka interpretuar përtej kornizës ligjore.
“Është situatë e paqartë sepse Gjykata ka shtuar diçka që nuk ekziston në ligjin për Qeverinë. Ne do ta ankimojmë këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese përmes Avokaturës Shtetërore,” u shpreh një zyrtare e lartë e VV-së.
Tash për tash mbetet të shihet nëse dhe si do të reagojë Gjykata Kushtetuese në lidhje me këto dy lëndë që potencialisht mund të ndikojnë në ç’tensionimin ose thellimin e mëtejshëm të krizës politike në vend.