Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n, e cila ka ripërsëritur se angazhimi për stabilitetin dhe sigurinë në rajon është i palëkundur. Kjo deklaratë vjen pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë për të ndalur një përshkallëzim të mundshëm ushtarak nga Serbia në drejtim të Kosovës.
Në një prononcim për klankosova.tv, një zyrtar i NATO-s deklaroi:
“Angazhimi ynë për stabilitetin rajonal është i palëkundur, siç është ritheksuar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë Samitit në Hagë.”
Megjithatë, për komentet e mëtejshme lidhur me këtë situatë, zyrtari i NATO-s referoi tek autoritetet përkatëse të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Analiza: FSK me përgjegjësi të reja?
Një vlerësim mbi situatën aktuale në Kosovë ka dhënë edhe profesori i njohur amerikan për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, nga Johns Hopkins University. Ai vlerësoi se:
“Kosova është mirë për tani, por nuk është e qartë sa kohë SHBA do të vazhdojë të mbajë praninë ushtarake në rajon.”
Sipas tij, për shkak të krizave të tjera globale dhe përparësive strategjike të Shteteve të Bashkuara, është e mundur që në të ardhmen Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë kombëtare.
“Ushtria e Kosovës ndoshta shumë shpejt do të ketë obligime të mëdha në menaxhimin e sigurisë”, shtoi Serwer.
Ai nënvizoi gjithashtu se, megjithëse Kosova mbetet një interes për aleatët perëndimorë, fokusi amerikan mund të zhvendoset në kriza të tjera më të mëdha globale.