Katër persona janë ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj pas një incidenti të rëndë me armë zjarri që ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Doganaj, ku raportohet për një përplasje të armatosur mes një qytetari dhe një zyrtari policor.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit me inicialet A.S., L.V., Sh.L. dhe L.K., janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda. Ata dyshohen për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë:
-
Vrasje në tentativë
-
Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve
-
Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm
-
Pjesëmarrje në rrahje
Rasti ka ndodhur rreth orës 00:52, dhe si pasojë e të shtënave, dy persona kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit fillimisht janë trajtuar në Emergjencën e Ferizajt, dhe më pas janë transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm.
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy vetura të dyshuara, dy armë zjarri, gjashtëmbëdhjetë gëzhoja dhe një predhë.
Prokurori i rastit ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.