Dy punëtorë ndërtimtarie kanë vdekur sot në Gjakovë pasi kanë rënë nga objekti ku po punonin. Njëri prej tyre, Hazir Jakupi, ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vëllai i tij, Fitim Jakupi, kishte rënë dëshmorë në luftë.
Për këtë ka njoftuar ish-Komandanti i UÇK’së, Sokol Bashota.
“Lajmi për vdekjen tragjike në vendin e punës të Daut Bajraktarit nga Jashanica dhe Hazir Jakupit, vëllait të dëshmorit Fitim Jakupi nga Caraviku, ishte një goditje e rëndë dhe e dhimbshme për të gjithë ne. Hazir Jakupi, pas rënies heroike të vëllait të tij Fitim Jakupi, nuk qëndroi mënjanë, rrëmbeu armën e tij dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ndjekur idealin dhe gjakun e vëllait për liri. Sot, Haziri dhe Dauti humbën jetën në përpjekje për të siguruar jetesën”, ka shkruar Bashota.
Ai ka thënë se këto raste duhet të jenë alarm për institucionet e vendit dhe kompanitë ndërtimore.