Qendra.info
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione
No Result
View All Result
Qendra.info
No Result
View All Result
Home Lajme

Në Kosovë kërkohen për masakrën në Mejë, në Serbi janë figura publik

22/07/2025
in Lajme
Reading Time: 6 mins read
Në Kosovë kërkohen për masakrën në Mejë, në Serbi janë figura publik
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Nga mesi i qershorit, të akuzuarit po gjykohen në mungesë, pasi nuk janë në dispozicion të drejtësisë kosovare.

Kundër tyre është lëshuar edhe një fletarrestim ndërkombëtar.

Beogradi zyrtar, tash për tash, hesht.

Ushtria e Serbisë thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka informacion” në lidhje me pjesëtarët e saj që figurojnë në aktakuzën e Kosovës, ndërsa policia nuk përgjigjet në pyetje.

Më shumë se 50 të pandehur, përfshirë ish-udhëheqës të forcave ushtarake dhe policore serbe, akuzohen për vrasjen e 370 shqiptarëve të Kosovës në Mejë dhe në fshatra të tjerë përreth Gjakovës, gjatë luftës së vitit 1999.

Mbi një çerek shekulli pas masakrës, shumica e të akuzuarve janë në pension, dhe kundër tyre në Serbi – zyrtarisht – nuk është duke u zhvilluar ndonjë hetim.

Disa janë aktivë në jetën publike – shkruajnë dhe promovojnë libra, angazhohen në politikë dhe shfaqen në media.

Në kërkim të të akuzuarve, Radio Evropa e Lirë analizoi bazat e disponueshme të të dhënave dhe arkivat.

Çfarë ndodhi në fshatrat përreth Gjakovës?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Kosovës, por edhe vendimeve të mëhershme të Tribunalit të Hagës, forcat ushtarake dhe policore serbe zhvilluan nga 27 deri më 29 prill të vitit 1999 një operacion të përbashkët, të quajtur “Reka” – sipas emrit të luginës me mbi 20 fshatra në rajonin e Gjakovës.

Në këtë operacion, qëllim i të cilit ishte spastrimi etnik i zonës nga banorët e saj, u vranë 370 civilë dhe disa mijëra u dëbuan në Shqipëri.

Prona e tyre u plaçkit dhe shtëpitë e tyre u dogjën.

Shumica e të vrarëve jetonin në fshatrat malore të Mejës dhe Korenicës.

Trupat e shumicës u gjetën në vitin 2001 në tetë varre masive në periferi të Beogradit, ndërsa 18 viktima të masakrës janë ende të zhdukura.

Operacioni “Reka” u konceptua nga Korpusi i Prishtinës i Ushtrisë së atëhershme jugosllave dhe krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP).

I dyshuari kryesor, “opozitar” në Nish

“Nuk më shkon ndërmend të shkoj në gjykim në Prishtinë, por do të paraqitesha gjithmonë para një gjykate në Beograd”, thotë për Radion Evropa e Lirë Momir Stojanoviq, ish-shef i sigurisë së Korpusit të Prishtinës dhe i dyshuar kryesor në aktakuzën e Kosovës.

Si gjeneral ushtarak në pension, ai jeton në Nish – në jug të Serbisë.

Deri në vitin 2016 ishte zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, ndërsa sot thotë se është një “opozitar autentik” dhe kritik i ashpër i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2020 në Serbi, Stojanoviq udhëhoqi grupin qytetar “Sinqerisht për Nishin”, i cili nuk arriti të kalonte pragun zgjedhor.

Stojanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se për masakrën në Mejë dhe fshatrat tjerë ka mësuar disa vite më vonë në Hagë, ku ka qenë dëshmitar i mbrojtjes në gjyqet ndaj udhëheqësve të ushtrisë dhe policisë serbe.

“Nuk kam dijeni për vuajtjet e atyre civilëve dhe me përgjegjësi pohoj se ushtria nuk ka të bëjë fare me atë krim. Nuk mund të them nëse anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë bërë diçka. Kjo është një çështje për ta”, thotë Stojanoviq.

Ai shton se Tribunali i Hagës “ka vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme se ai nuk është përgjegjës”.

“Në luftën në Kosovë, unë nuk kam komanduar asnjë ushtar, nuk kam komanduar ndonjë operacion, as nuk kam planifikuar operacione. Puna ime ishte të mblidhja të dhëna mbi forcën, përbërjen dhe vendndodhjen e formacioneve terroriste të UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës) dhe kalimet e tyre të paligjshme të kufirit”, thotë Stojanoviq.

Ai pohon se komanda e Korpusit të Prishtinës e ka planifikuar operacionin “Reka”, me qëllim “pastrimin e rajonit të Gjakovës nga terroristët”.

“Gjatë gjithë viteve 1998 dhe 1999, shumë ushtarë tanë kanë vdekur duke shkuar për ndërrim në postblloqet në kufi me Shqipërinë. Sa herë që është nisur automjeti ynë, terroristët e UÇK-së kanë ngritur prita dhe kanë vrarë ushtarë. Kështu ka ndodhur për ditë me radhë”, thotë Stojanoviq.

Çfarë konstatoi gjykata në Hagë?

Edhe pse oficerët e lartë të ushtrisë serbe në dëshmitë e tyre në Hagë thanë se qëllim i operacionit “Reka” ishte të ndalohej hyrja e luftëtarëve të UÇK-së nga Shqipëria, në mënyrë që ata të mos bashkoheshin me brigadën që vepronte në luginë, gjykata konstatoi se asnjëri nga të vrarët nuk ishte i armatosur dhe nuk mori pjesë aktive në luftë.

“Për më tepër, nuk ka asnjë provë që, atëkohë, në atë zonë është zhvilluar ndonjë betejë midis forcave serbe dhe UÇK-së”, shkruan në vendimin e gjykimit për shefin e Drejtorisë së Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Vllastimir Gjorgjeviq.

Për krimet në operacionin “Reka” u dënua pothuajse e gjithë udhëheqja ushtarake dhe policore serbe.

Së bashku me Gjorgjeviqin u dënuan edhe komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, komandanti i Armatës së 3-të, Nebojsha Pavkoviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Dragolub Ojdaniq, dhe kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovën, Sreten Llukiq.

Deri më sot, asnjë person nuk është dënuar nga gjykatat në Serbi – as për krimet në operacionin “Reka”, as për fshehjen e trupave të viktimave në varre masive në Batajnicë, pranë Beogradit.

Tribunali i Hagës nuk e hetoi përgjegjësinë e Stojanoviqit, sepse ai nuk u gjykua para asaj gjykate.

Megjithatë, në vendimin për Gjorgjeviqin, tha se pretendimi i Stojanoviqit se nuk ka pasur autoritet për të komanduar njësi, “nuk është i besueshëm”.

“Është e paimagjinueshme që ai të mos ketë pasur informacione për pjesëmarrjen e njësive ushtarake në operacionin ‘Reka’, i cili është thënë se ka qenë i drejtuar kundër terroristëve, ose për dëbimin me forcë dhe vrasjen e fshatarëve gjatë ditëve kur është zhvilluar operacioni”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Stojanoviq përsërit pretendimet e tij të mëparshme: se për varret masive në Batajnicë, ku janë gjetur trupat e viktimave në vitin 2001, ka mësuar nga mediat.

Edhe pse më pas ka mbajtur pozitën e kreut të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake, ai thotë se nuk ka bërë hetime, sepse “nuk ka pasur një kërkesë të tillë nga gjyqësori”.

Si deputet nga Partia Përparimtare Serbe, Stojanoviq kryesoi edhe Komisionin parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë.

Derisa ishte në atë pozitë, Interpol-i shpalli një urdhër arrestimi për të dhe për 17 persona të tjerë, për krime në rajonin e Gjakovës.

Fletarrestimi u lëshua nga prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX).

“Menjëherë kam kontaktuar Gjykatën tonë Speciale për krime lufte në Beograd. Hetimi ka zgjatur deri në vitin 2019, janë ndërruar tre prokurorë, dhe më pas është marrë vendimi për të hedhur poshtë kallëzimin”, thotë Stojanoviq.

Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me arsyet e pezullimit të hetimeve, as çfarë informacionesh ka marrë në lidhje me masakrën dhe transferimin e mëvonshëm të trupave të të vrarëve, për të cilat ngjarje janë paraqitur prova edhe para Tribunalit të Hagës.

Kush mori pjesë në krim?

Në aktakuzë thuhet se për këtë operacion, ushtria serbe angazhoi Brigadën e 549-të të Motorizuar – Batalioni 2, Brigadën e 125-të të Motorizuar, Brigadën e 63-të të Parashutistëve, Batalionin e 52-të të Policisë Ushtarake dhe Brigadën e 52-të të Artilerisë dhe Raketave.

Ministria e Brendshme angazhoi, mes tjerave, Njësitë Speciale të Policisë nga Gjakova dhe Prizreni, Njësinë e Operacioneve Speciale, të themeluar nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore Serbe, dhe anëtarë të mbrojtjes territoriale dhe formacione paraushtarake.

Mirënjohje për brigadën e 125-të “heroike”

Aktakuza e Kosovës përfshin edhe Dragan Zhivanoviqin, i cili, në kohën e krimit, komandonte Brigadën e 125-të të Motorizuar.

Në dëshmitë e tij në Hagë, më herët, ai deklaroi se brigada e tij nuk ka marrë pjesë në plaçkitjen dhe djegien e fshatrave në Kosovë dhe se ushtarët e tij kanë qëlluar “vetëm ndërtesat ku kanë qenë terroristët”.

Ai doli në pension në vitin 2006 me gradën gjeneral-major.

Sot, ai ftohet në programe televizive me frekuencë kombëtare në Serbi, në të cilat flet për ngjarjet në Kosovë dhe për “rrugën heroike” të brigadës së dikurshme.

Së bashku me udhëheqjen ushtarake dhe shtetërore të Serbisë, ai u dha vazhdimisht dekorata anëtarëve të saj.

E gjithë brigada, e cila u shpërbë në vitin 2005, u dekorua me “Urdhrin e Heroit të Popullit” për, siç thuhet në faqen zyrtare të Ushtrisë së Serbisë, “kontributin në mbrojtjen e atdheut, heroizëm dhe vetëflijim”.

Në vitin 2021, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë prezantoi edhe filmin “Brigada Heroike e 125-të e Motorizuar”.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 1.800 civilë u vranë në zonën e përgjegjësisë së kësaj brigade – në mesin e tyre mbi 500 gra dhe fëmijë.

Më shumë se një dekadë më parë, ky fond ngriti dy padi penale kundër Zhivanoviqit për krime në Kosovë.

Në vitin 2014, Zyra e Prokurorit në Serbi nisi hetime për përfshirjen e brigadës në krime.

Ato u pezulluan tre vjet më vonë dhe Zyra e Prokurorit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me arsyet.

Related

Previous Post

Gaz lotsjellës në Kuvend – Sveçla para gjyqit

Next Post

Partia e Vuçiqit kërkon të jetë pjesë e pushtetit në Preshevë, e udhëhequr nga këshilltarja e Kurtit

Next Post
Partia e Vuçiqit kërkon të jetë pjesë e pushtetit në Preshevë, e udhëhequr nga këshilltarja e Kurtit

Partia e Vuçiqit kërkon të jetë pjesë e pushtetit në Preshevë, e udhëhequr nga këshilltarja e Kurtit

Please login to join discussion

Qëndroni me ne

  • 99 Subscribers
  • Trending
  • Comments
  • Latest
Tre mënyra për të ulur kolesterolin deri në 40%

Tre mënyra për të ulur kolesterolin deri në 40%

29/06/2025
Ky është fruti më i keq për shëndetin

Ky është fruti më i keq për shëndetin

23/06/2025
Vritet një 15-vjeçar në Vushtrri

Vritet një 15-vjeçar në Vushtrri

23/03/2025
Tetë ushqime që nuk duhet t’i vendosni kurrë në frigorifer

Tetë ushqime që nuk duhet t’i vendosni kurrë në frigorifer

17/06/2025
Gastronomët: Do të detyrohemi të kërkojmë punëtorë edhe në Bangladesh

Gastronomët: Do të detyrohemi të kërkojmë punëtorë edhe në Bangladesh

Trusti kushtëzon shtetasit e huaj për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve

Trusti kushtëzon shtetasit e huaj për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve

Luksi i Loredanës nuk njeh kufi: Për një çantë të vogël paguan mbi 1 mijë euro

Luksi i Loredanës nuk njeh kufi: Për një çantë të vogël paguan mbi 1 mijë euro

Telashet me emrat në Zvicër, si paragjykohen për punë shqiptarët

Telashet me emrat në Zvicër, si paragjykohen për punë shqiptarët

ChatGPT arrin 2.5 miliardë kërkesa në ditë – rritje marramendëse brenda 8 muajve

ChatGPT arrin 2.5 miliardë kërkesa në ditë – rritje marramendëse brenda 8 muajve

22/07/2025
Përditësim nga kufiri: Mërgimtarët po presin deri në 25 minuta për të hyrë në Kosovë

Përditësim nga kufiri: Mërgimtarët po presin deri në 25 minuta për të hyrë në Kosovë

22/07/2025
Vdekje e dyshimtë në vendin e punës në Skenderaj – 44-vjeçari dyshohet se pësoi sulm kardiak

Vdekje e dyshimtë në vendin e punës në Skenderaj – 44-vjeçari dyshohet se pësoi sulm kardiak

22/07/2025
Kardiologët zbulojnë teknikën që qetëson zemrën për vetëm 3 minuta

Kardiologët zbulojnë teknikën që qetëson zemrën për vetëm 3 minuta

22/07/2025

Të Fundit

ChatGPT arrin 2.5 miliardë kërkesa në ditë – rritje marramendëse brenda 8 muajve

ChatGPT arrin 2.5 miliardë kërkesa në ditë – rritje marramendëse brenda 8 muajve

22/07/2025
Përditësim nga kufiri: Mërgimtarët po presin deri në 25 minuta për të hyrë në Kosovë

Përditësim nga kufiri: Mërgimtarët po presin deri në 25 minuta për të hyrë në Kosovë

22/07/2025
Vdekje e dyshimtë në vendin e punës në Skenderaj – 44-vjeçari dyshohet se pësoi sulm kardiak

Vdekje e dyshimtë në vendin e punës në Skenderaj – 44-vjeçari dyshohet se pësoi sulm kardiak

22/07/2025
Kardiologët zbulojnë teknikën që qetëson zemrën për vetëm 3 minuta

Kardiologët zbulojnë teknikën që qetëson zemrën për vetëm 3 minuta

22/07/2025
Magazina Qendra

Rrjetet Sociale

Të gjitha materialet, videot, fotografitë dhe shkrimet në këtë faqe janë pronë e portalit Qendra.info dhe mbrohen nga ligjet e miratuara mbi të drejtën e autorit. Secili përdorues ka të drejtë të aksesojë dhe shfrytëzojë këtë faqe dhe përmbajtjen e saj në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi, duke respektuar plotësisht të drejtën e autorit.

Më të rejat

ChatGPT arrin 2.5 miliardë kërkesa në ditë – rritje marramendëse brenda 8 muajve

ChatGPT arrin 2.5 miliardë kërkesa në ditë – rritje marramendëse brenda 8 muajve

22/07/2025
Përditësim nga kufiri: Mërgimtarët po presin deri në 25 minuta për të hyrë në Kosovë

Përditësim nga kufiri: Mërgimtarët po presin deri në 25 minuta për të hyrë në Kosovë

22/07/2025
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

©2021 Qendra - Rr. “Muharrem Fejza”, C11/A4, Lok 3, Prishtine.
E-mail: info@qendra.info

No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

©2021 Qendra - Rr. “Muharrem Fejza”, C11/A4, Lok 3, Prishtine.
E-mail: info@qendra.info