Ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit 30-ditor të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi vazhdon mos të jetë funksional. E një propozim të ri për zgjidhje të ngërçit politik e ka dhënë Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci Plus, raporton Periskopi.
Krasniqi ka propozuar se VV mund ta propozojë si kandidat deputetin Glauk Konjufca, kurse për nënkryetare Albulena Haxhiu.
Krasniqi thotë se me rregulloren e Kuvendit, lejohet që Konjufca të jap dorëheqje e në vend të tij të emërohet Haxhiu.
“Meqenëse Glauk Konjufca është i pranueshëm nga partitë opozitare për Kryetar të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje mund ta propozojë atë për këtë pozitë, ndërsa Albulena Haxhiun si nënkryetare të Kuvendit (për të cilët grupet parlamentare kanë diskrecion të plotë se kë propozojnë).
Pas konstituimit të Kuvendit, Glauk Konjufca mund ta autorizojë Albulena Haxhiun që të ushtrojë detyrat e Kryetares dhe më pas të japë dorëheqje nga posti i Kryetarit (kjo mund të bëhet edhe pa autorizim të posaçëm, sipas Rregullores së Kuvendit).
Në këtë mënyrë, edhe opozita fiton, duke mos e votuar Haxhiun drejtpërdrejt për Kryetare, ndërsa Vetëvendosje e ruan efektivisht Haxhiun në krye të Kuvendit. Rregullorja nuk parasheh ndonjë afat se sa gjatë një nënkryetar mund të ushtrojë detyrat e Kryetarit”, ka shkruar Krasniqi.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në votim të fshehtë, si dhe në emrin e Albulena Haxhiut.
Po ashtu, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka vënë në votim formimin e një Komisioni zgjedhor që do të mundësonte votim të fshehtë për kreun e Kuvendit, proces ky që po ashtu nuk po merr mbështetje nga partitë tjera.
Ngërçi politik vazhdon tash e disa muaj, gjersa qytetarët për zgjedhjet parlamentare iu drejtuan kutive të votimit më 9 shkurt 2025. Që nga atëherë ende nuk ka institucione të reja të formuara nga ato zgjedhje.
Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës.
Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues, që i bie 26 korrik 2025.