Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë të paprecedentë juridike dhe kushtetuese, pas përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Ai e cilësoi si një “përfundim të turpshëm” dështimin e 26 korrikut, kur pavarësisht afatit të fundit, Kuvendi nuk arriti të konstituohej. Sipas Cakollit, praktika e Lëvizjes Vetëvendosje për të kërkuar votim të fshehtë ose mosvotim fare, ka pamundësuar formimin e institucioneve.
“Qytetarët e Kosovës nuk kanë merituar një shtet në pauzë. Përgjegjësia bie mbi të gjithë spektrin politik,” u shpreh ai.
Cakolli theksoi se moskonstituimi i Kuvendit dhe mungesa e një Qeverie funksionale po cenojnë rendin demokratik dhe po e lënë vendin në një vakum institucional të rrezikshëm.
Postimi i Cakollit:
Një përfundim i turpshëm i një krize që u zvarrit me vetëdije. Kuvendi nuk u konstitua as në përpjekjen e 54-të, duke dështuar kësisoj në përmbushjen e obligimit kushtetues për t’u konstituar brenda 30 ditëve.
Barra kryesore e përgjegjësisë politike së gjithë këtij dështimi bie qartazi mbi subjektin politik që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Por e drejta nuk mjafton kur mungon vullneti për konsensus dhe për ta çuar procesin përpara.
Nga sot, nuk do të kemi më seanca me improvizime e arbitraritet, si në sagën e mbi 100 ditëve të kaluara – një periudhë që, mbi të gjitha, shpërfaqi mungesën e përgjegjësisë politike dhe refuzimin e kompromisit si vlerë demokratike.
Tashmë jemi në një situatë të paprecedentë, me një Kuvend jofunksional e jolegjitim dhe me një qeveri në detyrë, të zgjedhur nga legjislatura e parafundit – anëtarët e së cilës nuk kanë as autoritet ligjor për vendimmarrje.
Qytetarët nuk e kanë merituar një shtet në pauzë për shkak të llogarive të ngushta partiake.