Një studim i ri nga Universiteti prestigjioz Johns Hopkins ka treguar se këshillat për ushqyerje të shëndetshme, të dërguara përmes mesazheve tekstuale tek prindërit, mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e normave të obezitetit tek fëmijët e vegjël.
Hulumtimi, i cili përfshiu prindër të fëmijëve deri në moshën 2-vjeçare, tregoi se kjo ndërhyrje e thjeshtë çoi në një ulje të dukshme të normës së obezitetit – nga 13% në vetëm 7%. Kjo është një arritje e rëndësishme në përpjekjet për të luftuar një nga sfidat më të mëdha shëndetësore të shekullit XXI.
Mesazhet përmbanin këshilla praktike për përmirësimin e zakoneve të përditshme, si nxitja e konsumit të ujit dhe qumështit në vend të pijeve me sheqer, reduktimi i kohës para ekranit dhe promovimi i aktiviteteve fizike.
Ky model komunikimi, i cili është i thjeshtë për t’u zbatuar dhe me kosto të ulët, ofron një qasje të re dhe efektive për të përmirësuar shëndetin e fëmijëve që në vitet e para të jetës. Sipas studiuesve, ndikimi pozitiv i këtyre mesazheve tekstuale tregon se ndërhyrjet e hershme janë thelbësore për parandalimin e problemeve serioze shëndetësore në të ardhmen.
Në një epokë ku teknologjia është gjithnjë e më e pranishme në jetën e përditshme, përdorimi i saj në mënyrë të mençur mund të sjellë ndryshime të rëndësishme – madje të shpëtojë jetë.