Një startup i teknologjisë së avancuar me bazë në Singapor, SixSense, ka zhvilluar një platformë me inteligjencë artificiale që ndihmon prodhuesit e gjysmëpërçuesve të zbulojnë dhe parashikojnë defektet në çipa në kohë reale gjatë procesit të prodhimit.
Kompania ka siguruar 8.5 milionë dollarë në raundin e financimit Seria A, duke e çuar totalin e investimeve në rreth 12 milionë dollarë. Financimi u drejtua nga Peak XV’s Surge (ish Sequoia India & SEA), me pjesëmarrjen e Alpha Intelligence Capital, FEBE, dhe investitorëve të tjerë.
E themeluar në vitin 2018 nga inxhinieret Akanksha Jagwani (CTO) dhe Avni Agarwal (CEO), SixSense synon të zgjidhë një nga sfidat më të mëdha në industrinë gjysmëpërçuese: shndërrimin e të dhënave të prodhimit në njohuri të përdorshme në kohë reale, që ndihmojnë në parandalimin e defekteve dhe rritjen e cilësisë së prodhimit.
Përkundër sasisë masive të të dhënave që prodhohen në fabrikat e çipave, bashkëthemelueset vunë re se mungonte një inteligjencë e vërtetë në kohë reale për të analizuar dhe reaguar mbi to.
Akanksha, me përvojë në automatizimin industrial tek kompani si Hyundai Motors dhe GE, si dhe në zhvillimin e produkteve në startup-e si Embibe, sjell ekspertizë të thellë në kontrollet e cilësisë dhe automatizim. Ndërsa Agarwal, me përvojë teknike në Visa në sistemet e analizës së të dhënave në shkallë të gjerë (disa prej të cilave u mbrojtën si sekrete tregtare), kishte një vizion për të zbatuar AI në industri tradicionale jashtë fintech-ut.
Pasi studiuan sektorë si aviacioni dhe automobilizmi, ato vendosën të fokusoheshin tek gjysmëpërçuesit. Edhe pse kjo industri njihet për saktësinë e saj, proceset e inspektimit janë ende shumë manuale dhe të fragmentuara, tha Agarwal për TechCrunch. Pas bisedave me mbi 50 inxhinierë të industrisë, u bë e qartë se ka hapësirë të madhe për modernizim.
Në shumicën e fabrikave sot, inxhinierët përdorin panele dhe grafikë statistikore që vetëm shfaqin të dhëna, por nuk ofrojnë analiza. Kështu, ngarkesa për të marrë vendime bie mbi inxhinierët, që shpesh shpenzojnë shumë kohë për të hetuar dhe analizuar shkaqet e defekteve.
Platforma e SixSense ofron zbulim defektesh, analizë të shkaqeve rrënjësore, dhe parashikim të dështimeve — dhe të gjitha këto pa nevojë për kodim, çka e bën shumë praktike për inxhinierët e procesit, jo vetëm për specialistët e të dhënave. Ata mund të përdorin të dhënat e fabrikës së tyre për të përmirësuar modelet dhe t’i vendosin në funksion brenda dy ditësh.
Konkurrenca përfshin ekipe të brendshme inxhinierike që përdorin mjete si Cognex dhe Halcon, prodhues pajisjesh inspektimi që po integrojnë AI, dhe startup-e si Landing.ai dhe Robovision.
SixSense tashmë bashkëpunon me prodhues të mëdhenj si GlobalFoundries dhe JCET, duke analizuar mbi 100 milionë çipa deri tani. Klientët raportojnë 30% përshpejtim të ciklit të prodhimit, 1–2% rritje të rendimentit, dhe 90% ulje të punës manuale në inspektim. Platforma është e përshtatshme me mbi 60% të pajisjeve të inspektimit në nivel global.
“Klientët tanë kryesorë janë prodhues të mëdhenj çipash, përfshirë fabrikat (foundries), kompanitë për testim dhe montim të çipave (OSAT) dhe prodhuesit e pajisjeve të integruara (IDMs)”, tha Agarwal. “Jemi aktivë në Singapor, Malajzi, Tajvan, Izrael dhe tani po zgjerohemi në SHBA.”
Tensionet gjeopolitike, sidomos mes SHBA-së dhe Kinës, kanë ndryshuar hartën globale të prodhimit të çipave, duke nxitur investime të reja në vende si Malajzia, Singapori, Vietnami, India dhe SHBA-ja.
“Këto vende po ndërtojnë fabrika të reja nga e para, shpesh pa sisteme të vjetra. Kjo u jep atyre mundësinë të zbatojnë qasje moderne, të bazuara në AI, që nga dita e parë,” shtoi Agarwal.