Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë njoftuar se protesta e përgjithshme e planifikuar për datën 5 gusht 2025 do të pezullohet përkohësisht.
Vendimi është marrë pas një takimi me ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, gjatë të cilit përfaqësuesit sindikalë kanë marrë sinjale pozitive lidhur me angazhimin për zgjidhjen e krizës financiare dhe çështjes së pagave në transmetuesin publik.
“Ritheksojmë se thirrja për protestë mbetet e hapur, në rast se nuk arrihet një zgjidhje konkrete në ditët në vijim”, thuhet në komunikatën e përbashkët të dy sindikatave.
Sipas tyre, për çdo hap të ardhshëm, opinioni publik dhe punëtorët do të informohen me kohë.