Zëvendëspresidenti i SHBA’së, JD Vance, ka thënë se një zgjidhje e negociuar midis Rusisë dhe Ukrainës nuk ka gjasa të kënaqë asnjërën palë, dhe se çdo marrëveshje paqeje ka të ngjarë të lërë si Moskën ashtu edhe Kievin “të pakënaqur”.
Ai ka thënë se SHBA’ja synon një zgjidhje që të dy vendet mund ta pranojnë.
“Nuk do ta bëjë askënd shumë të lumtur. Si rusët ashtu edhe ukrainasit, ndoshta, në fund të fundit, do të jenë të pakënaqur me të”, ka thënë ai në një intervistë për Fox News të transmetuar të dielën.
Presidenti i SHBA’së, Donald Trump, ka thënë të premten se do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin më 15 gusht në Alaska për të negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë.