Mbrëmë në Novi Sad, pas tensioneve mes protestuesve dhe grupeve proqeveritare, janë raportuar dëme të mëdha materiale ndaj automjeteve të mbështetësve të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Sipas dëshmitarëve, disa nga simpatizantët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të cilët më parë ishin përfshirë në përplasje me protestuesit duke përdorur mjete piroteknike, u detyruan të largohen nga zona, duke lënë automjetet e tyre të parkuara. Pas largimit, persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhamat, kanë gërvishtur dhe dëmtuar rëndë disa prej veturave.
Policia lokale ka konfirmuar se është hapur një hetim për rastin, por ende nuk ka të arrestuar. Protestuesit ndërkohë vazhdojnë të akuzojnë autoritetet për tolerimin e dhunës së grupeve proqeveritare ndaj qytetarëve, ndërsa incidentet e mbrëmshme kanë shtuar edhe më shumë tensionet politike në qytet.