Intervistë me Ambasador Zef Mazi, dhënë për JavaNews.al në prag të takimit Trump-Putin.
Para dy ditësh, ju shkruat një artikull lidhur me takimin në Alaskë midis presidentëve Trump dhe Putin. U lanë të kuptoheshin disa gjëra. Pyetja ime: Përse Alaska dhe tani?
Mendoj se Alaska mund të “ngrejë skenën” për diçka më të madhe. Juri Ushakov, me të cilin kemi punuar disa vite si ambasadorë të vendeve përkatëse në një organizatë, është këshilltari kryesor i presidentit rus për politikën e jashtme. Ai shkurt tha: “pas një propozimi të palës amerikane që mendojmë se është i pranueshëm”. Kjo nënkupton njohje të realiteteve në aspektin gjeopolitik-gjeoekonomik. Përse pas kërcënimeve ndaj blerësve të naftës ruse? Ndoshta në thelb, “sektorë” të zbulimit ushtarak mund të kenë konkluduar se lufta përmes një të treti (në Ukrainë) shkon drejt humbjes. Trumpi do të përqendrohet në zona të tjera, p.sh., te “rreziku jetik” kinez.
Nga pikëpamja ruse, faktet në fushëbetejë përshpejtojnë operacionin ushtarak, jo armëpushim, ndoshta një pushim “humanitar” për pak ditë. Amerikanët duan armëpushim të paktën për pak javë. Zor se mund të pajtohen qëndrimet. Mbetet për t’u parë. Prandaj, thashë: Alaska është fillimi. Ndërkohë, sipas Ushakovit, po punohet për takimin tjetër Trump-Putin në Federatën Ruse. Duket se SHBA-ja po tërhiqet nga rrëmuja, fillon tërheqja nga Ukraina, arrihet një lloj pushim-zjarri, rifillon bashkëpunimi në fushën e biznesit me Rusinë, edhe në Arktik.
Por, edhe nëse do të arrihet një marrëveshje, “sektorë të veçantë” do të përpiqen të riarmatosin Ukrainën, “duke udhëhequr nga pas”, ndoshta përmes një skenari si ai i Gjeorgjisë në të ardhmen, sipas pohimit të “JPMorgan Center for Geopolitics”, se ai mund të jetë skenari më i mirë për zgjidhjen e rrëmujës ukrainase. Kjo mund të shbalancojë disi optikën e dështimit, sigurisht jo tonën, por të atij, të atyre të tjerëve.
Situatë kontradiktore buzgremine, çka shihet edhe në marrëdhëniet Trump-NATO/BE. Ndërkohë, “minigrupi” evropian “pa dhëmbë” vazhdon përpjekjet “shpëtimtare”, duke bërë salto, me të papritura, vetëm e vetëm për të nxjerrë nga shinat samitin e Alaskës para se ai të mbahet. “Turfulluesit” evropianë nuk pritet të blejnë lehtë asnjë marrëveshje që mund të arrihet, nëse do të lejohen. Trumpi do të jetë tepër i kënaqur t’ua transferonte evropianëve tërë barrën e luftës, çka do të evitonte ankesat nga “sektorë të veçantë” të administratës së tij, sepse do të nxirren përfitime kolosale financiare nga shitja e armëve.
Çfarë nënkupton konkretisht me diçka përtej Alaskës?
Lëvizjet gjeopolitike janë aq të shpejta dhe të shumëanëshme sa mund të bëhen gabime nëse nuk shihet pamja e plotë se çfarë po ndodh. Konkretisht, dy javë pas samitit të Alaskës, do të mblidhet Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSH) në Tianxhin të Kinës. Do të marrin pjesë Kryeministri i Indisë, Modi, Presidenti i Iranit, Pezeshkian, ndër të tjerë, që do të ulen në të njëjtën tryezë me Shi Xhin Ping dhe Vladimir Putin. Kjo do të jetë Tryeza e BRICS/OBSH.
Më 3 shtator, në Pekin, do të festohet 80-vjetori i fitores së Luftës për Rezistencë e Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Antifashiste Botërore. Putini do të jetë i ftuari i nderit. Prova e fundit e paradës me 22 mijë vetë u bë para 6 ditësh në Sheshin Tien-nanmen.
Po atë ditë, në Vladivostok, do të hapë punimet Forumi Ekonomik Lindor që do të diskutojë përpjekjet e Rusisë për të zhvilluar Arktikun dhe Siberinë lindore. Në forum do të marrin pjesë drejtues “kyç” nga Euro-Azia. Ndërkohë, mësohet se udhëheqësit më të lartë të BRICS po koordinojnë përgjigje kolektive kundër luftës së tarifave që është pjesë e luftës kundër BRICS dhe Jugut të Globit.
Arktiku duket sikur është larg interesit, apo jo?
Është shumë mirë që, pas 4 vitesh bojkoti total i imponuar nga administrata e kaluar amerikane, filluan të bëhen takime, bisedime, vizita, ulje në tryezë dhe të rishfaqet në skenë përdorimi i “logjikës normale” midis SHBA-së dhe Rusisë. Mendoj se Ukraina nuk do të jetë tema kryesore në Alaskë. Rreziku i konfliktit bërthamor nuk është ulur. Traktati Start i Ri (New Start Treaty) skadon në shkurt 2026. Nëse nuk do të zgjatet, do të mungojë tërësisht kontrolli i armëve bërthamore. Po të mendojmë se do ta pranojë Trumpi, rëndësi ka “nëse”, do të fillojë puna e madhe lidhur me zgjatjen e Traktatit, ose do të punohet për një marrëveshje të re për raketat dhe armët bërthamore. Kontrolli i armëve është çështje tepër e rëndësishme, mendoj se do të jetë një ndër pikat e takimit.
Në kuadrin më të gjerë të marrëdhënieve, mendoj se do të futet edhe diskutimi serioz për “pandashmërinë e sigurisë”. Kjo është e sanksionuar që në dokumentet politike në vitin 1992. Ajo u përfshi edhe në një projekt që iu paraqit SHBA-së në dhjetor 2021, por që u refuzua nga ish-administrata amerikane.
Arktiku ka rëndësi të ndjeshme. Ai mban, siç mësohet, së paku 13 për qind të rezervave të pazbuluara të naftës dhe 30 për qind të gazit natyror të pazbuluar. Rusia kontrollon së paku gjysmën e këtyre rezervave. Nuk ka arsye që SHBA-ja të mos kërkojë me ngulm të jetë pjesë e kësaj pune, përse të mos bëjë pjesë në investime të mëdha amerikane në projekte të përbashkëta me Rusinë. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është që SHBA-ja të bëhet pjesë e Rrugës së Detit të Veriut (North Sea Route, NSR), që kinezët e quajnë “Rruga e Mëndafshtë e Arktikut”. Kjo rrugë e ul me 50 për qind kohën e transportit detar midis Azisë dhe Evropës. Racionalja: duke përdorur flotën e akullthyesve, anashkalohet Kanali i Suezit dhe kanalet e konektivitetit që kontrollohen nga SHBA-ja. A do të bindet Moska që të pranojë marrëveshje për Arktikun? Kjo kartë ka rëndësi jo të vogël. Mbetet për t’u parë çfarë do të rezultojë nga takimi.