Deputeti i Partisë Serbe të Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), Pedja Mitroviq, është rrahur mbrëmë në Beograd nga një grup prej shtatë ose tetë huliganësh të maskuar, të cilët e kanë goditur me shufra hekuri në kokë dhe këmbë. Ngjarja ka ndodhur gjatë protestave pranë ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, ku janë shënuar tensione të mëdha mes qytetarëve dhe grupeve proqeveritare.
Mitroviqi tha për mediat se sulmi ndodhi pa asnjë provokim nga ana e tij, dhe se, pavarësisht se u prezantua si deputet, huliganët nisën ta shanin dhe ta godisnin në mënyrë brutale. “Pashë që nuk kanë kontroll mbi veten dhe vendosa të largohem, sepse ishte e qartë se po kisha punë me njerëz që nuk janë në gjendje normale”, deklaroi ai.
Sipas Mitroviqit, ky është rezultat i politikave të regjimit aktual, i cili po shpërbëhet në dhunë. Ai akuzoi pushtetin dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për angazhimin e huliganëve të afërt me SNS-in për të sulmuar qytetarët paqësorë. “Ky është shkatërrimi i shtetit. Nuk provokova askënd, por ata kishin urdhër të rrihnin këdo. Nuk do t’i shpëtoni përgjegjësisë, as ju, as falangat tuaja,” u shpreh deputeti.
Gjatë mbrëmjes, simpatizantë të Partisë Përparimtare Serbe kanë hedhur mjete piroteknike përmes forcave të xhandarmërisë në drejtim të protestuesve, duke rritur tensionet në zonë.