Një studim i ri ka zbuluar se përdorimi i ventilatorit elektrik në temperatura të larta mund të rrisë rrezikun e një ataku në zemër.
Studiuesit nga Universiteti i Sidneit rekrutuan 20 pjesëmarrës për të testuar se si ventilatorët ndikojnë në temperaturën e trupit, rrahjet e zemrës, djersitjen dhe ndjesinë e rehatisë kur përdoren në një mjedis të nxehtë e me lagështi.
Pjesëmarrësit iu nënshtruan katër seancave të ndara, secila tre orëshe, në një dhomë klimatike të vendosur në 39.2°C me 49% lagështi.
Në dy prej seancave, ata ishin mirë të hidratuar, duke konsumuar sasinë e rekomanduar të lëngjeve për 24 orët e mëparshme dhe mund të pinin gjatë testit. Në dy të tjerat, ishin të dehidratuar, duke shmangur lëngjet dhe ushqimet me përmbajtje të lartë uji për 24 orët para testit dhe pa leje për të pirë gjatë tij.
Në secilin nivel hidratimi, ata u testuan me dhe pa ventilator.
Studimi, i publikuar në revistën Emergency Medicine, synonte të zbulonte nëse niveli i hidratimit ndryshon efektin e përdorimit të ventilatorit në kushte të nxehta e me lagështi.
Masa të ndryshme u regjistruan: rrahjet e zemrës, temperatura rektale, shkalla e djersitjes, ndjesia e parehatisë termike dhe etja.
Rezultatet treguan se përdorimi i ventilatorit gjatë dehidratimit mund të rrisë ngarkesën e zemrës, çka mund të çojë deri në atak në zemër. Për më tepër, u vu re se ventilatori rriti humbjen e djersës me rreth 60%, duke sugjeruar se mund të jetë i dëmshëm në mungesë të hidratimit.
Udhëheqësi i studimit, Connor Graham, PhD, tha:
“Shumica e viktimave nga vala e të nxehtit nuk kanë ajër të kondicionuar, por shpesh kanë ventilatorë elektrikë. Ventilatorët mund të ndihmojnë në uljen e stresit termik dhe kardiovaskular deri në temperatura rreth 39–40°C. Në temperatura më të larta, ventilatorët duhet të ndalen, pasi mund ta përkeqësojnë situatën.”
Ai shpjegoi se kjo ndodh sepse ajri shumë i nxehtë e ngroh trupin më shpejt se sa ky mund të ftohet përmes djersitjes.
Shkencëtarët rekomandojnë përdorimin e ventilatorëve vetëm deri në 39°C për të rritur të shëndetshëm nën 40 vjeç dhe deri në 38°C për personat mbi 65 vjeç. Për të moshuarit që marrin ilaçe antikolinergjike (si oksibutinina për kontrollin e fshikëzës), ventilatorët duhen përdorur vetëm kur temperatura është mbi 37°C.
Për t’u mbrojtur nga i nxehti, këshillohet mbajtja e shtëpisë së freskët duke mbyllur dritaret dhe perdet në anën e diellit, si dhe njohja e simptomave të goditjes nga nxehtësia (heat stroke) dhe dehidratimit nga nxehtësia (heat exhaustion).