Akuzohet nga Prokuroria se bëri thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad, Alban Bibaj nuk e pranon
Alban Bibaj që po akuzohet se bëri thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad, nuk e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur sot më 21.08.2025 në Gjykatën e Prishtinës.Alban Bibaj po akuzohet nga Prokuroria Speciale se përmes rrjetit social Facebook, në profilin e tij, kishte shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse përmes të cilave kishte bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad.Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Fejzullahu, i akuzuari Alban Bibaj tha se nuk e pranon fajësinë për veprën penale e cila po i vihet në barrë nga organi i akuzës.Pas deklarimit të të akuzuarit rreth fajësisë, gjyqtari Kushtrim Shyti njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtën për të paraqitur kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.Mbrojtësi i të akuzuarit Alban Bibaj, avokati Blerim Bajrami, i propozoi Gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet masa e paraburgimit, apo të njëjtit t’i caktohet ndonjë masë tjetër, pasi sipas tij kanë pushuar shkaqet që i pandehuri të mbahet nën masën e paraburgimit.
Në anën tjetër prokurorja Fikrije Fejzullahu i propozoi Gjykatës që të mbetet pranë vendimit për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit.Ndërsa, gjyqtari Kushtrim Shyti mori aktvendim duke refuzuar propozimin e avokatit të të akuzuarit për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Alban Bibaj.“..mbetet në fuqi masa e paraburgimit e vazhduar sipas aktvendimit të kësaj Gjykate me datë 18.08.2025.”- tha gjyqtari Shyti.DOSJA E PROKURORISËSipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e cila mban datën 13.08.2025, i pandehuri Alban Bibaj po akuzohet se ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve fetare si dhe ka propaganduar ideologji ekstreme fetare.Sipas aktakuzës i pandehuri Alban Bibaj që prej vitit 2019 e deri me datë 22.05.2025 përmes rrjetit social “Facebook”, në profilin e tij me emrin “Ubejdullah Abu Suhejla”, ka shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse përmes së cilave ka bë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftën për xhihad si dhe postime tjera ku shpërfaq thirrje të fuqishme të ekstremizmit fetar dhe publikisht i përkrah veprimet të cilat janë bërë nga shteti islamik “ISIS” si dhe duke bë thirrje për të kundërshtuar sistemin demokratik, simbolet shtetërore si dhe ligjet që votohen apo burojnë nga parlamenti apo qeveria e vendit dhe se duhet të pranohen vetëm ligjet e “Sheriatit” e duke publikuar fotografi të “Isis”-it, flamuj tjerë kombëtar te kryqëzuar, materiale propagandistike, video me persona të ndryshëm të radikalizuar, nga të cilat postime potencialisht mund prish rendin publik.Me këtë i pandehuri Alban Bibaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit.”