Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se kjo parti nuk vota për asnjë kandidat të VV-së për kryetar të parlamentit, transmeton Gazeta Metro.
Pas një mungese gati dymuajshe për shkak të vështirësive në shtatzëni, ajo tha se propozimi i LVV-së që Dimal Basha të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, ishte taktizim.
“I takon secilës parti politike qe të mbajë qëndrimet e veta sa i përket votimit ose jo për kandidatët e VV-së. LDK nuk ka marrëveshje me VV-në sepse nuk e duam një të tillë. Rrjedhimisht nuk kemi votë për asnjë kandidat. Tema e propozimeve është kryer. Ajo që ndodhi pardje, ishte taktizim, jo për faktin që u propozua emri, por për faktin që u refuzua një konsultim. Kjo është e dhimbshme sepse qytetarët po presin, po humbim shumë”, u shpreh deputetja.
Nga ora 11:00, pritet të mbahet tentativa e katërt për konstituimin e Kuvendit, pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka hapur rrugën për vazhdimin e procedurave parlamentare, ndërsa në këtë seancë po merr pjesë edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Në seancën e të dielës i pari që u propozua ishte deputeti Hekuran Murati, i cili përsëri nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme, pas Muratit, radha i takoi Arbërie Nagavcit, që u propozua si kandidatja e re e koalicionit. Por edhe ajo arriti vetëm 55 vota pro, ndërsa edhe i propozuari i tretë Dimal Basha, nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për tu zgjedhur pasi morri vetëm 57 vota.