Sarajevë, 28 gusht 2025 (Reuters/Qendra.info) – Republika Serbe e Bosnjës do të shkojë në zgjedhje më 23 nëntor, pavarësisht kundërshtimeve nga parlamenti i këtij entiteti dhe nga lideri separatist pro-rus, Milorad Dodik, bëri të ditur të enjten Komisioni i Zgjedhjeve.
Vendimi vjen pas përplasjeve të thella politike, pasi Dodikut iu mor mandati i presidentit nga autoritetet ndërkombëtare, por ai refuzoi të tërhiqet nga posti. Kriza shihet si një nga më të rëndat në Bosnjë që prej përfundimit të luftës së viteve 1992-1995, dhe përpjekjet separatiste të serbëve të Bosnjës përbëjnë një nga kërcënimet më serioze për paqen në rajon që nga marrëveshja e Daytonit.
Dodik u dënua më herët këtë vit me një vit burg dhe gjashtë muaj ndalim nga aktivitetet politike, pasi sfidoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe urdhrat e Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar për paqen, Christian Schmidt. Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin në gusht, por Dodik e hodhi poshtë dënimin duke deklaruar se do të qëndrojë në krye të entitetit për sa kohë gëzon mbështetjen e deputetëve serbë.
Javën e kaluar, ai propozoi mbajtjen e një referendumi më 25 tetor, për të pyetur qytetarët e entitetit nëse e njohin autoritetin e Schmidtit dhe vendimet kundër tij. Parlamenti i Republika Srpska e ka refuzuar autoritetin e Schmidtit, si dhe ka ndaluar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe fushatave lokale.
Ndërkohë, Dodik ka nisur edhe ri-formatimin e qeverisë, duke detyruar kryeministrin Radovan Vishkokviq të japë dorëheqjen. Në vend të tij është nominuar Savo Miniq, aktualisht ministër i Bujqësisë dhe Pylltarisë.
Republika Serbe përbën njërën nga dy njësitë kryesore të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa njësia tjetër qeveriset bashkërisht nga boshnjakët dhe kroatët, sipas marrëveshjes së Daytonit. Lufta e Bosnjës (1992-1995) mori jetën e rreth 100 mijë personave dhe zhvendosi afro 2 milionë banorë.