Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka hyrë në histori duke pritur mbi 500 mijë pasagjerë brenda vetëm një muaji. Ky është numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe konsiderohet si një prej arritjeve më të mëdha të këtij institucioni, përcjell Gazeta Metro.
Nga udhëtarë që nisen drejt punës, tek familjarë që takohen pas vitesh ndarjeje, çdo fluturim i këtij muaji ka qenë pjesë e rekordit të ri.
“Për herë të parë, #AeroportiNdërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ ka mirëpritur mbi gjysmë milioni pasagjerë brenda një muaji. Ky është një moment i madh për aeroportin tonë dhe provë e besimit tuaj në shërbimet tona. Faleminderit secilit prej jush që na zgjidhni çdo ditë ✈🤍”, thuhet në njoftimin e aeroportit.
Ky sukses shihet si dëshmi e rritjes së kapaciteteve dhe e besimit që udhëtarët po i japin aeroportit të kryeqytetit, duke e kthyer atë në një nyje të rëndësishme të udhëtimeve ajrore në rajon./gazetametro.net