Protestë, thirrje “Ik, ik!” dhe polici në derën e shkollës fillore “Pavle Savić” në Beograd, ku prindërit dhe qytetarët revoltuan ndaj emërimit të Nenad Tasić-it nga Bujanoci si ushtrues detyre i drejtorit.
Burimet nga vendngjarja pohojnë se Tasić, përballë zemërimit të prindërve që hynë në shkollë, është fshehur në tualetin e grave dhe ka telefonuar policinë për ndihmë! Ai nuk u përball me prindërit, nuk u tha asnjë fjalë, dhe u shoqërua jashtë nga forcat e rendit, mes brohoritjeve “Odlazi, odlazi…” (Ik, ik…).
Prindërit janë kategorikë: nuk e duan drejtorin partiak, i cili, sipas tyre, nuk ka lidhje me shkollën, fëmijët apo komunitetin. Ata kërkojnë rikthimin e ish-drejtorit Milan Krstić ose emërimin e dikujt nga stafi aktual i shkollës.
Tasić është profesor matematike dhe informatike, dhe vitin e fundit ka punuar në Beograd, pasi në Bujanoc iu anulua për herë të dytë konkursi për drejtues të shkollës “Branko Radičević”.
Si shenjë proteste, prindërit nuk i dërguan fëmijët në shkollë këtë të mërkurë, ndërsa mbledhja e Këshillit të Shkollës është shtyrë për në orën 17:00./Qendra.Info