“Pra, janë të drejta që na mundësojnë zhvillim të përbashkët dhe këto të drejta nuk duhet të përdoren si veto që mundësojnë bllokadë të njëanshme. Pikërisht për këtë arsye ne u jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me komentet tona lidhur me ankesën e Listës Serbe për të kumtuar se procedurat e zhvilluar deri më tani kanë qenë të rregullta dhe gëzojnë legjitimitet të plotë demokratik”, tha ai.
Krasniqi tërhoqi paralele mes situatës në Kosovë me atë në Bosnjë e Hercegovinë, ku tha se e drejta e një pakice është tentuar që të shndërrohet në bllokadë.
“Pra, përvoja e Bosnjës është dëshmia e duhur se çfarë pasojash të rënda sjell një sistem ku pakica parlamentare ka në duar të drejtën e vetos dhe bllokon funksionimin e shtetit”, tha ai.
Ankesa e Listës Serbe në Kushtetuese erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Gjykata Kushtetuese javën e kaluar theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.
Masa e saj do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj për masë të përkohshme, u ka mundësuar palëve të përfshira në këtë lëndë – përfshirë edhe deputetët – të dorëzojnë komente dhe dokumente relevante deri më 9 shtator.
Pas komenteve dërguar Gjykatës Kushtetuese presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.
Kërkesë për mospranimin e çështjes së dërguar në Kushtetuese nga Lista Serbe ka bërë edhe Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit.
Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte vetëm Sllavko Simiqin edhe pasi ai dështoi t’i merrte 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të lejuara të votimit.
Kur ajo nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.
Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.
Bashka e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë nga komuniteti joshumicë serb.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, asnjëra parti nuk fitoi vota të mjaftueshme për të krijuar vetë institucionet. Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.
Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave./REL