Visar Ymeri beson se Sadri Ramabaja, profesori i Universitetit Publik të Gjilanit, i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, keqinformohet nga dikush që është pjesë e pushtetit aktual.
Të enjten, Ymeri dhe Ramabaja u përplasen në studion e emisionit Debat Plus në RTV Dukagjini për shkak të deklaratave të Ramabajës, të ngjashme me ato të Vjosa Osmanit, se gjoja njerëz të medias janë të përfshirë në një tentim-puçi ndaj institucioneve.
“Këqyr çka jeni bërë z. Ramabaja? Je tu e mbrojtur rrenën e Vjosa Osmanit. Njeriu i organizatave ilegale e mbron rrenën e Vjosa Osmanit.. e tmerrshme”, i tha Ymeri, Ramabajës.
Sipas Ramabajës, ka informacione zyrtare që është përgatitur “një grusht-shteti nga elementi hibrid, i cili në Kosovë është shumë aktiv edhe në studiot tona”.
“Procesi gjyqësor që po zhvillohet qet në shesh se një pjesë e mirë të informacioneve që kanë mbledhur – thotë edhe presidentja, pajtohem që nuk duhej ta thoshte në konferencë shtypi sot dhe jo në kontekstin e zhurmës për fëmijë – që kanë informacione zyrtare që kanë përgatitur grusht-shtet nga elementi hibrid, i cili në Kosovë është shumë aktiv dhe ky element është shumë aktiv edhe në studiot tona”, tha Ramabaja.
“Këqyre çfarë akuza bën palidhje”, ndërhyu Ymeri.
Drejtori i Institutit Musine Kokalari tha se është e çuditshme sesi Ramabaja, një profesor universitar dhe komentator politik, ka qasje në informata të klasifikuara shtetërore.
“Mua çka mu duk e çuditshme shumë qysh Sadri Ramabaja, i cili është profesor dhe komentator politik në studio këtu, e ka qasjen në këto informata kaq të klasifikuara që duhet me qenë. Qasje në informata të klasifikuara kanë agjentët e spiunazhit, jo njerëzit që merren me komentim politik. Kështu që, ose je agjent i AKI-së, ose dikush po të informon. A unë çka mendoj që është e vërteta, se tri mundësi i shoh? Ose je agjent i AKI-së, po e di që s’je, ose po të informon dikush, po tybe besoj që dikush po të informon, e unë mendoj që e treta është e vërteta – janë duke të keqinformuar dhe të keqpërdorur”, i tha Ymeri, Ramabajës.