Banjskë, Shtator 2023 – Një detaj i pazbuluar më parë nga përplasja e armatosur në fshatin Banjskë, ku tensionet në Veri të Kosovës arritën pikën kulmore, hedh dritë mbi rolin vendimtar të një snajperisti të njësive speciale të Policisë së Kosovës, i cili, me një goditje precize, mund të ketë shmangur një përshkallëzim të madh të dhunës.
Sipas burimeve të sigurta të redaksisë sonë dhe një fotografie të siguruar nga vendngjarja, snajperisti, në momentet kritike të përballjes me grupin e armatosur serb, neutralizoi një nga liderët e celulës, duke penguar avancimin e tyre më tej drejt zonave civile.
“Ishte një vendim i çastit, por i bazuar në informacione të sakta dhe përgatitje intensive. Nëse nuk do të vepronte në atë moment, pasojat do të ishin shumë më të rënda,” – deklaron një zyrtar i lartë i sigurisë.
Ky veprim, i cili tashmë po konsiderohet si një pikë kthese në ruajtjen e rendit në Veri, tregon profesionalizmin dhe gatishmërinë e policise së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe qytetarët, në kushte ekstreme.